Zëvendëskryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Shqipe Pantina, në tryezën diskutuese me temë “Mbrojtja e të dhënave personale dhe Qasja në dokumente publike”, tha se për të është e vështirë të flasë nga këndi i deputetes për këtë çështje, për të cilën ajo ka vetëm kritika dhe se kjo ua vështirëson më shumë pasi që puna e Kuvendit është kolektive dhe jo individuale.
Ajo propozoi që pas leximit të parë të krijohet një grup i përbashkët për qasjen në dokumente publike dhe personale, raporton Ekonomia Online.
Pantina shtoi se është e zhgënjyer me OJQ-të të cilat nuk po marrin pjesë në dëgjime publike.
“Jam e zhgënjyer me pjesëmarrjen e OJQ-ve në dëgjime publike që bëjnë komisionet dhe ju do të jeni edhe më të zhgënjyer më pas me amendamentet që janë bërë në komisione”, tha Pantina.
Pantina bëri lutje që OJQ-të të jenë më aktive në dëgjime publike.
Valbona Puka-Gola nga Institucioni i Avokatit të Popullit, tha se qytetarët nuk janë të informuar për të drejtat e tyre që kanë në kërkimin e dokumenteve publike dhe se zakonisht për t’u qasur me këto dokumente shfrytëzojnë personat të cilët i njohin në këto institucione.
“Nga viti në vit situata ka ndryshuar, por jo në mënyrë të dëshiruar, numri i ankesave mbetet i vogël dhe kërkesa në qasje të dokumenteve publike bëhet nga organizatat e ndryshme joqeveritare lidhur me projekte apo hulumtime të ndryshme”, tha Puka.
“Problemi mbetet te promovimi i kësaj të drejte të qytetarëve për qasjen në dokumente. Njerëzit janë mësuar që dokumentet e caktuara t’i kërkojnë përmes njerëzve të ndryshëm që i kanë njohur në institucione publike, por kjo është e drejtë e tyre, ndërsa Kushtetuta edhe pse e njeh këtë të drejtë ka edhe kufizime”, tha Puka.
Ajo shtoi se kërkuesit e këtyre dokumenteve rrallëherë iu drejtohen institucioneve kompetente. Sipas saj, ata më shumë drejtohen tek Institucioni i Avokatit të Popullit apo gjykatave, raporton EO.
“Ne kemi qenë të njohur me projektligjet për mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen në dokumente zyrtare, por a ka pasur ndonjë ndryshim që nga faza që ne kemi qenë të informuar dhe Avokati i Popullit ka pasur vërejtje lidhur me mungesën e kapaciteteve ekzekutive të veta”, shtoi Puka.
Puka shtoi se institucionet të cilat refuzojnë përgjigje për qasjen në dokumente, asnjëherë nuk bëjnë një analizë se pse është refuzuar ajo kërkesë por arsyetohen dhe bazohen në nenin 12 të Ligjit të qasjes së dokumenteve publike.
Kjo tryezë është organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.