Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mbajtur takimin e radhës, të parin pas nënshkrimit të Kontratave Komerciale të Projektit, ku u diskutuan disa çështje lidhur me zhvillimet e fundit në këtë projekt.
Sipas një komunikate nga MZHE, komiteti Drejtues i Projektit në këtë takim aprovoi unanimisht procedurën e Formalizimit të Kontratave Komerciale të Projektit. Po ashtu, në këtë takim KDP ka aprovuar edhe kërkesën e investitorit ContourGlobal për pranim të ndryshimit të organizimit juridik të kompanisë, e cila tashmë është listuar në Bursën e Londrës, transmeton Ekonomia Online.
“Ky avancim i kompanisë investuese të Projektit TC “Kosova e Re”, e lehtëson edhe më shumë mbarëvajtjen e procedurave të mbetura deri në finalizimin e Projektit”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim, janë marrë edhe disa vendime të tjera teknike që kanë të bëjnë me ecjen përpara dhe në hapat e paraparë kohorë të Projektit.
Po ashtu, KDP TC “Kosova e Re” u informua nga Këshilltari i Transaksionit dhe NJIP TC ‘Kosova e Re’, me gjendjen aktuale dhe rrjedhën e projektit deri më tani.
“Duhet të rikujtojmë se Termocentrali “Kosova e Re” do të bëhet katalizator i zhvillimit ekonomik duke ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Ndërtimi i këtij termocentrali po bëhet për t’i dhënë pavarësi energjetike Kosovës. Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re po bëhet për të zëvendësuar njësitë e vjetra prodhuese të TC ‘Kosova A’”, thuhet tuje në komunikatë.
Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian.
Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçincën neto më të madhe se 40.0%. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët.
Sipas komunikatës, masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.