Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar pas raportimeve se Ratko Mlladiqi, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës i dënuar për gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare, do të varroset në Serbi me nderime të larta shtetërore.
Kearns, përmes një postimi në rrjetin social X, ka kritikuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe Qeverinë e Serbisë për qëndrimin ndaj gjenocidit në Srebrenicë.
“Vuçiqi dhe qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani ata do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns.
Ajo ka theksuar se vdekja e Mlladiqit nuk nënkupton edhe zhdukjen e ideve që ai përfaqësonte.
“Mlladiqi ka vdekur, por miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë. Çdo jetë e jetuar është një fitore kundër tij dhe ambicieve të tij gjenocidale”, ka shkruar deputetja britanike.
Vucic and the Serbian Government deny the genocide at Srebrenica.
Now they will bury the man who gave the orders, Ratko Mladic, with full honours.
That’s a confession.
Mladic is dead, but millions of Bosnians live on. Every life lived is a victory against him and his… https://t.co/QiYshN7Ln4
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) August 27, 2026
Kearns ka paralajmëruar gjithashtu se mohimi i gjenocidit në Srebrenicë kontribuon në mbajtjen gjallë të këtyre ideve.
“Mos mendoni se ato ambicie vdiqën me të. Ato mbahen gjallë nga ata që e mohojnë gjenocidin”, ka shtuar ajo.
Ratko Mlladiq vdiq më 27 gusht në Hagë, ndërsa ishte duke vuajtur dënimin e përjetshëm. Ai ishte dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përgjegjësinë për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.