Ekonomia Online
FUNDIT

KEDS-i nuk i raportoi në ZRrE 3.5 milionë eurot e konsumatorëve

KEDS-i nuk i raportoi në ZRrE 3.5 milionë eurot e konsumatorëve

Ky konstatim që del nga raporti i ZRrE-së “Përshtatjet Vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale për KEDS”, ngrit edhe më shumë dyshime mbi vendimin e fundit të rregullatorit përmes të cilit ia “fali” KEDS-it 3.5 milionë euro të konsumatorëve. Prej 10 milionë euro sa i kishte të hyrat në vitin 2018 nga “aktivitetet e […]

Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për të kërkuar sqarime se a janë marrë masa ndaj KEDS-it për mosraportim të të hyrave të plota, siç konstaton raporti i tyre.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ZRrE, Adelina Murtezaj, ndryshe nga KEDS, ka vlerësuar se në rastin konkret ka pasur mospërputhje në mes të dhënave preliminare që i dorëzon operatori dhe pasqyrave financiare.

“Sa i përket çështjes se jo-balancave  dëshirojmë te sqarojmë se procesi i Azhurnimeve vjetore, përkatësisht Aplikacioni për Azhurnime vjetore fillon ne muajin dhjetor me te dhëna preliminare, kur ende nuk janë përgatitur draft pasqyrat pasqyrat financiare. Gjate vlerësimit te aplikacionit dhe përgatitjes se Raporteve Konsultative te licencuarit dërgojnë draft Pasqyrat financiare dhe çdo ndryshim në mes te Aplikacionit dhe këtyre draft pasqyrave reflektohet ne këtë Raport”, ka thënë Murtezaj.

Në rastet kur ka fshehje të informatave, Murtezaj ka thënë se rregullatori merr të gjitha masat e duhuara të përcaktuara në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, madje duke shqiptuar edhe gjoba, por edhe masa tjera administrative. Mirëpo nuk ka sqaruar nëse janë marrë masa ndaj KEDS-it, në këtë rast.

Vendimi i ZRrE-së, ‘favor’ për KEDS-in

Sipas Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, edhe vitin e kaluar, në procesin e aprovimit të tarifave për KEDS për periudhën 1 tetor 2018 – 31 mars 2019, çështja e jo-balancave (po ashtu me vlerë pozitive) ka qenë temë diskutimi mes stafit profesional të ZRrE dhe bordit.

Në atë kohë sipas Hasajt qëndrimi i stafit profesional të ZRrE ka qenë që ato të hyra duhet t’u kthehen qytetarëve dhe bordi i ZRrE e ka mbështetur opinionin e tyre.

Por gjithçka ndryshoi në mbledhjen e fundit të ZRrE.

“Pra, të hyrat e KEDS nga jo-balancat janë zbritur nga të hyrat e tyre të lejuara. Ndërsa sivjet, për dallim nga stafi profesional, bordi ka ndryshuar pozicion dhe ka vendosur që t’ia fal KEDS-it 3.5 milonë euro”, ka thënë Hasaj.

Ndryshe, KEDS-i kishte kërkuar që të hyrat e jo-balancës për vitin 2017 dhe vitin 2018, duhet t’i mbesin operatorit sepse ZRrE nuk ka bazë ligjore për zbritjen e tyre nga të hyrat maksimale të lejuara.

Por vetë Ymer Fejzullahu, drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRrE gjatë mbledhjes kur u mor ky vendim pati thënë se të hyrat prej 3.5 milionë euro duhet t’i kthehen konsumatorëve.

Sipas tij, të gjitha kostot e arsyeshme të KEDS-it janë lejuar përmes të hyrave të lejuara maksimale dhe çdo e hyrë tjetër jashtë kësaj kornize është e hyrë jo tarifore dhe do t’i kthehet konsumatorëve në vitin vijues.

“Trajtimi i jo balanceve sipas vlerësimit tonë, e kemi vlerësuar që këto të hyra duhet të zbriten dhe t’u kthehen konsumatorëve gjatë këtij procesi tarifor”, pati thënë Fejzullahu.

Përkundër kësaj, Bordi vendosi në favor të KEDS-it.

Bajrami: Kuvendi menjëherë duhet të marrë masa

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Komisioni për Tregti, Industri, Zhvillim Ekonomik dhe Rajonal që menjëherë të thërret ZRRE-në për raportim në Komision.

“Si Komision fillimisht na duhet sqarim se çka do të thotë aprovimi i të hyrave maksimale për KOSTT, KEDS dhe KESCO për përiudhën 01.04.2019 deri me 31.03.2020 pa i trajtuar 3.5 milion euro nga jobalancet. Nëse kjo nënkupton se këto para të konsumatorëve i mbesin KEDS-it ose KESCO-s, kjo po që është shkelje e rëndë dhe Kuvendi menjëherë duhet të merr masa”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj, nëse 3.5 milionë euro nga jo-balancët mbesin të pa prekura deri në gjetjen/krijimin e bazës ligjore, Komisioni duhet të përcejllë nga afër se çfarë po bëhet me këto para.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore që këto mjete t’i falën KEDS-it dhe KESCO-s, bile mendoj se kjo përben jo vetëm shkelje ligjore por edhe shkelje kushtetuese nëse këto të mjete nuk ju kthehen konsumatorëve”.

Anëtarët e Bordit të cilët po kërkojë që të ketë rregullore për kthimin e mjeteve te konsumatorët, Bajrami thotë se duhet të sqarojnë se ku po e mbështesin ata vendimin që KEDS-it, respektivisht KESCO-s, t’ia falin 3.5 milionë euro. 

Të ngjashme