Lagja “Bajram Curri” në Prizren, do të përfitojë rrjet të ri energjetik nga KEDS-i, ku përfshihen 4 trafo të reja dhe 500 shtylla betoni. Banorët e lagjes tregohen të lumtur me këtë investim që është afër finalizimit.
Njëri nga këta banorë, Hasan Shala tha se për shkak rrjetit të stërvjetëruar dhe rritjes së popullsisë,në këtë lagje, kohëve të fundit kanë pasur probleme me rrymë.
“Kjo lagje është zgjeruar viteve të fundit, kurse rrjeti energjetik është dobësuar shumë”, tregon Shala.
Ai shpreson se pas investimeve do të përmirësohet energjia elektrike në këtë lagje. “Shpresojmë që pas përfundimit të projekteve, do të kemi furnizim stabil të rrymës”, shprehet ai.
Shala, falënderon KEDS-in për interesimin që ka treguar për të investuar në këtë lagje.
Bujar Arifi, menaxher për projekte në KEDS tha se aktualisht janë në fazën e kyçjes së shtëpive në trafo të reja, që janë vendosur.
“Në këtë lagje të Prizrenit, jemi duke realizuar dy projekte investuese me rrjet të ri energjetik, ku do të vendosen katër trafo të reja, si dhe 500 shtylla betoni elektrike”, tha ai.
Sipas Arifit në këto dy projekte po ashtu është paraparë të ristrukturohet në tërësi rrjeti elektrik me kabllo të reja. Ai siguron banorët se pas përfundimit të punimeve, nuk do të kenë më probleme me rrymë.
“Gjithashtu në kuadër të projekteve është paraparë të bëhet edhe largimi i rrjetit të vjetër”, tha Arifi.
Ai premton se realizimi i këtyre dy projekteve, pritet të finalizohet shumë shpejt.