KEDS njoftoi për dy qytetet që nuk do të kenë rrymë sonte, KOSTT thotë se nuk është problemi te ta

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

KOSTT ka thënë se sot nuk do të ketë reduktime të energjisë elektrike. Kjo pasi sipas tyre Kosova ka siguruar energji të nevojshme për mbulimin e konsumit, përfshirë edhe mbështetjen nga Shqipëria.

“Njoftohen qytetarët e vendit që bazuar në përgatitjet dhe planifikimet e operatorëve përgjegjës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për sigurimin e energjisë së nevojshme për mbulim të konsumit, përfshirë edhe mbështetjen nga Republika e Shqipërisë, sot me 31 dhjetor 2021 nuk do të ketë kufizime në furnizimin me energji elektrike me udhëzim të KOSTT për qëllime të balancimit të sistemit”, thuhet në njoftim.

Lidhur me paralajmërimet e KEDS-it se në Komunën e Malishevës do të ketë reduktime të rrymës, si dhe në rrezik për reduktime është edhe Ferizaj, nga KOSTT deklaruan se problemi nuk është tek ta.

“KOSTT gjithashtu njofton që sa i përket kapaciteteve të sistemit të transmetimit nuk ka fyte të ngushta në asnjë komunë andaj kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjetin e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malisheva nuk janë të ndërlidhura me KOSTT. Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”, thuhet më tutje në njoftim.

Të ngjashme