Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka mirëpritur lejimin nga banorët e mbetur për përfundimin e punës në terren të Komisionit Qeveritar dhe Komisionit të KEK-ut, për matjen dhe vlerësimin e pasurive të banorëve të fshatit Shipitullë.
Në një komunikatë për media të kësaj korporate, thuhet se “ky proces lejon një vlerësim real në dobi të vetë banorëve dhe hapë rrugë krijimit të kushteve për të filluar punën në zgjerimin e mihjeve në këtë zonë dhe për të siguruar thëngjill për furnizim të qëndrueshëm të qytetarëve me energji elektrike”.
“Shpronësimi i këtyre zonave të shpallura me interes nacional është garantuesi i vetëm për një stabilitet të qëndrueshëm dhe furnizim të Kosovës me energji elektrike, pasi KEK- thuhet se ka hyrë në fazën emergjente dhe është duke operuar më kapacitet të kufizuar”.
Korporata Energjetike e Kosovës siguron të gjitha palët dhe veçanërisht banorët e këtyre zonave se do të zbatoi standardet më të larta ndërkombëtare për zhvendosje dhe do ti përmbush të gjitha obligimet në kompetencë të korporatës.
“Duke pasur parasysh këto zhvillime, presim dhe besojmë që brenda një afati të shkurtër të përfundojë edhe ky proces. Megjithatë, ashtu siç ju kemi njoftuar në vazhdimësi, ne kemi hyrë në fazën e emergjencës për arsye se jemi duke operu me kapacitet të kufizuar. Mirëpo, me të filluar punën në largimin e pjesës së epërme të djerrinës ne do të bëjmë planet së bashku me ekspertët e Korporatës si dhe me institutet dhe ekspertët më të mirë të kësaj fushe në vend, me ç’rast do të kemi një plan edhe më konkret se sa kohë na duhet deri të arrijmë të thëngjilli. Pra do të angazhojmë edhe njësi tjera gjeneruese që sa më shpjet të arrimë deri të nxjerrja e thëngjillit dhe tejkalimi i kësaj situate”.
Rezervat e para të thëngjillit, bazuar në analizat paraprake që ka bërë KEK-u dhe kapaciteteve aktuale, pritet të fillojnë të krijohen pas gjashtë muajsh.