Krahas prodhimit të rrymës, objektiv tjetër i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) mbetet dhe mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon.
KEK-u njofton se tashmë ka hyrë në fazën përfundimit të suksesshëm të ciklit të investimeve mjedisore që kapin shumën prej mbi 50 milionë Euro, kryesisht nga mjetet vetanake.
Në këtë vazhdë, në ish-deponinë e vjetër të hirit të TC “Kosova A”, e cila nuk përdoret tash e disa vite dhe ka një hapësirë prej rreth 250 hektarësh është akumuluar hiri që nga fillimi i viteve 1960-të. “Përkundër faktit se kjo ish-deponi e hirit është e trashëguar, KEK-u në mesin e projekteve për përmirësimin e mjedisit është ne finalizim të trajtimit edhe të kësaj ish-deponie”, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.
“Deri më tani projekti për rikultivimin e kësaj deponie ka arritur të dizajnojë dhe mbulojë me djerrinë rreth 243 hektarë, ndërsa në sipërfaqen e mbetur prej 20 hektarëve është bërë dizajnimi dhe tani kemi intensifikuar punimet për fazën e mbulimit me djerrinë e cila parashihet të përfundojë në afatin optimal”.
KEK-u thekson se matjet e realizuara në baza të rregullta tregojnë se niveli i pluhurit përreth ish-deponisë se hirit, është zvogëluar dhe është brenda kufijve të lejuar me ligj.
Si rezultat përfundimtar, një kodër e hirit e cila për 50 vjet ishte burim i ndotjes së vazhdueshme e cila prekte një zonë të gjerë nga Obiliqi deri në Prishtine, është duke u rikultivuar dhe po shndërrohet në një zonë të gjelbër.