Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) përmes një komunikate ka njoftuar se e kanë marrë me shqetësim rastin e kërcënimit të Drejtorit Menaxhues, Njazi Thaçi.
KEK i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe ta hetojnë me prioritet këtë rast. Kërcënuesit të dalin para drejtësisë dhe të parandalohen raste të tilla.
“Bordi shpreh mbështetjen e plotë për drejtorin menaxhues, Njazi Thaçi dhe ndjen keqardhje për shqetësimin që i ka ardhur nga persona të papërgjegjshëm”.
Nga ana tjetër Bordi i Drejtorëve të KEK-ut garanton aksionarin, Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët se çdo konkurs dhe veprim do të mbikëqyret në detaje nga bordi.
Sikur edhe në të kaluarën edhe tani i gjithë procesi i punësimit do të jetë i hapur dhe transparent.
“Kështu që në çdo kohë dhe në çdo moment të gjithë palët e interesuara do të kenë qasje në mënyrën e përzgjedhjes por asesi nuk do të tolerojmë që punësimet të realizohet përmes presioneve çfarëdo qofshin ato”.