Korporata Energjetike e Kosovës i ka ndezur ekskavatorët në fshatin Shipitullë për të nxjerrë thëngjillin nga nëntoka e këtij lokacioni.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, tha se qeveria Haradinaj po përmbyllë një nga çështjet më të mëdha.
“Procesi i shpronësimit në Hade dhe Shipitullë sot ka marrë fund dhe banorët e fundit të këtyre fshatrave kanë nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës. Kryeministri Haradinaj dhe qeveria e Kosovës kanë përmbyllur njëherit një nga çështjet më të mëdha të vendit që kanë mbajtur peng gjendjen energjetike për më shumë se 10 vjet”, tha Vllahiu.
Ai shtoi se kryeministri Haradinaj në 100 ditshin e parë të qeverisjes i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme çështjes së energjisë dhe krijimit të kushteve të favorshme për prodhimin e energjisë nga Termocentralet e Kosovës.
“E përsërisim edhe njëherë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe nuk do të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.
Ai shtoi se janë marrë vendime të rëndësishme në 100 ditshin e parë të qeverisjes.
“Njëkohësisht në 100 ditshin e parë të qeverisjes është nënshkruar marrëveshja më e madhe që prej pasluftës në Kosovë, me korporatën amerikane Countour Global për Termocentralin e ri në një vlerë prej mbi 1.3 miliardë eurosh, që do të garantojë stabilitetin energjetik dhe njëkohësisht mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik”, shtoi Vllahiu.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se janë shkaktuar humbje enorme për shkak të neglizhencës.
“Siç e shihni ekskavatori prapa nesh, ka 16 muaj që nuk ka qenë funksional. Kostoja ditore e këtij ekskavatori është diku rreth 1 milion euro që nuk ka funksionuar. Pra e shihni se sa janë ato humbjet enorme që kanë ndodhur me muaj e muaj për shkak të neglizhencës së një qeverie e cila nuk ka dashur t’i japë prioritet fushës së energjisë dhe tash kemi ardhur në një situatë kur ishim para kolapsit energjetik, në një situatë kur përmenden shifra të rritjes së çmimit të energjisë mbi 18 %”.
“Kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe që të sigurohet furnizimi i brendshëm energjetik, sepse nëse varemi nga importet, asgjë asnjë moment nuk ka të sigurt as për nga rritja e çmimit të energjisë”, tha Lluka.