Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka organizuar dëgjimin e parë publik me qytetarë të komunës së Obiliqit për të diskutuar rreth shpronësimeve që KEK-u po kërkon t’i bëjë në fshatin Hade, në mënyrë që t’i njoftojë më shumë rreth këtij procesi.
Mirëpo, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka kërkuar që debati të ndërpritet, pasi asnjë marrëveshje, sipas tij, nuk mund të bëhet pa praninë e institucioneve qendrore të vendit. “Procesi i shpronësimit është një proces shumë i rëndësishëm dhe në këtë debat duhet të jenë të pranishëm edhe ministrat, me qëllim që qytetarët të mos marrin premtime dhe të mbesin të parealizuara”, tha kreu i Komunës së Obiliqit.
“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që gjatë këtij procesi të jenë të implikuar të gjithë aktorët, me qëllim që të zgjidhet më e mira. Kërkesat e qytetarëve vazhdimisht i kemi adresuar në KEK dhe në ministri, kemi pasur takime edhe me kryeministrin për këtë çështje që të zgjidhet njëherë e mirë”, u shpreh Gashi, për Ekonomia Online.
Sipas tij, KEK-u ka obligime shumë ndaj qytetarëve të komunës së Obiliqit. “KEK-u është i obliguar që fillimisht të zgjidhë problemet e pazgjidhura të cilat i ka, pastaj të fillojë me shpronësimet. Raporti i Organizatës së Shëndetësisë ka dalë të jetë që qytetarët e Obiliqit janë më të prekur nga sëmundjet kancerogjene, për dallim me nivelin e vendit, dhe kjo është shqetësuese”.
“Po thuhet se shteti ka investuar milionat, donatorët kanë investuar miliona për filtra që të përmirësohen sadopak, por gjendja ka vazhduar të jetë e njëjtë; ka ankesa të shumta të qytetarëve sa i përket punësimit po ashtu çështja e infrastrukturës që vazhdimisht dëmtohet”, theksoi ai.
Gashi i ka bërë thirrje qeverisë qendrore që të marrin masa në këtë drejtim, siç shprehet ai, sa nuk është bërë vonë. “Qytetarëve nuk u ka mbetur asgjë vetëm se të dalin t’i bllokojnë rrugët”.
Skënder Bucolli, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetin në KEK, shpjegoi se debati publik kishte për qëllim t’i njoftojë qytetarët në lidhje me shpronësimin e tokave dhe zhvendosjes së banorëve nga disa fshatra të komunës së Obiliqit.
“Takimi i sotëm ka qenë me karakter njoftues dhe është dashur të zgjidhen përfaqësuesit e lagjes, të cilët në bashkëpunim me komisionin e KEK-ut, do të bëjnë regjistrimin e pronave. Kjo është faza e parë, sot nuk ka mundur të diskutohet më tej. duhet të bëhet vetëm regjistrimi i pronave dhe pastaj të kalohet në fazën e dytë”, tha Bucolli, për Ekonomia Online.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të Komunës së Obiliqit që t’i shikojnë interesat e tyre dhe sipas mundësisë të realizojnë të drejtat e tyre për shpronësim. “KEK-u është i interesuar që atyre t’u bëhet një jetë sa më e mirë”, u shpreh Bucolli.