Vetëm edhe tri ditë i kanë mbetur Korporatës Energjetike të Kosovës që t’i bindë banorët e Hadës dhe të Shipitullës për të arritur marrëveshje për shpronësim. Kjo pasi më 10 gusht pritet që të përfundojë debati publik për Ligjin për Shpronësim, pas të cilit Qeveria e Kosovës do të marrë vendimin përfundimtar për shpronësim në bazë të këtij ligji.
Në KEK kanë thënë për gazetën që pas reflektimit të dy familjeve asaj Berisha dhe Grajqevci, ka interesim edhe nga banorët e tjerë për të arritur marrëveshje, shkruan sot “Koha Ditore”.
Skender Bucolli, drejtor për Komunikim me Publikun në KEK, ka thënë me arritjen e marrëveshjes me dy familjet në fjalë është shënuar fillimi i daljes nga kriza. Kjo pasi sipas tij, këto familje ndodhen në parcelat e zonës me prioritet, për të cilën Qeveria e Kosovës më 21 korrik ka marrë vendim për shpronësim.
Sipas tij, ofertat e KEK-ut për banorët e kësaj zone kanë qenë më të leverdishme sipas Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, se ato me Ligjin për Shpronësim, edhe pse siç ka thënë, që nga fillimi KEK-u kishte këmbëngulur që të shkohet përmes Ligjit për Shpronësim.