Kelmendi: Amerikanët në një anë, Kosova në anën tjetër, fitues del veç Vuçiqi

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, vlerëson se me qasjen e shpërfaqur sonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, nuk nënkuptohet se nga ta kërkohet mosshtrirja e juridiksionit në pjesën veriore.

“SHBA-ja është sponsori dhe garantuesi kryesor i shtetësisë dhe zhvillimit të Kosovës. Si e tillë, njeh Kushtetutën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial. Nuk po thonë amerikanët lëshojini pe Serbisë. Amerikanët po thonë se – për shkak se Vuçiqi mezi po pret që të shkaktojë tensione dhe ta fajësojë Qeverinë e Kosovës – ky nuk është momenti i duhur për të ndërmarrë veprime ne veri, të cilat provokojnë situatën”, ka shkruar Kelmendi në profilin e tij në Facebook

Ai thekson se pa mbështetjen e Uashingtonit është i vështirë integrimi i veriut, madje dhe funksionimi i Kosovës.

Për ta kaluar cakërrimin, sipas Kelmendit, urgjentisht duhet që sot, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit amerikanë të ulen për të gjetur mënyrën më të mirë të mundshme për t’i dalë zot Kosovës.

“Me amerikanët në njërën anë dhe institucionet e Kosovës në anë tjetër, të përçarë, fituese del veç Vuçiqi dhe Serbia”.

Propozimi për ulje që të gjendet zgjidhja e duhur, për Kelmendin, duhet të ndodhë pasi që nga veprimi I ndërmarrë sot, sipas tij është e qartë që nuk ka pasur koordinim me Amerikën

Të ngjashme