Kelmendi – Kurtit: Albin, “mos bën hop pa e kaluar gardhin”!

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi , i është drejtuar me disa fjalë, kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me koalicionin e mundshëm me LDK-në dhe vizitën e tij në Shqipëri.

Kelmendi ka shkruar se Kurti po pret me padurim lidhjen e koalicionit me kryetarin e LDK-së, të cilin e ka akuzuar për vrasjen e Astrit Deharit pasi në atë kohë ai ishte kryeministër.

“Albin, “mos bën hop pa e kaluar gardhin”!, kishte shkruar Kelmendi në profilin e tij në Facebook.

Kelmendi , gjithashtu ka thënë se vizita e Kurtit ku ai shkon në Shqipëri dhe shkon në përqafim të kryeministrit Rama, dhe më pas e sulmon pasi ia kthen shpinën, ia kujton kohën e “bllokut VLAN” në vitin 2014

Ky është postimi i plotë:

Albin, “mos bën hop pa e kaluar gardhin”!

I nderuar Albin Kurti, jam i bindur që ti e din që të presin sfida të shumta.

Ke dhënë shumë premtime si: çkapja e shtetit, konfiskimi i pasurisë së paligjshme, hajnat në burg dhe shumë premtime tjera më shumë populliste se sa realiste.

Tani po pret me padurim lidhjen e koalicionit me kryetarin e LDK-së që e ke akuzuar për vrasjen e Astrit Deharit pasi në atë kohë ai ishte kryeministër.

Aktualisht Kosova është peng i premtimeve tua.

Qytetarët ta kanë besuar të ardhmen e tyre.

Vizita juaj në Shqipëri ku ti i shkon në përqafim Kryeministrit Rama, dhe e sulmon menjeherë pasi ia kthen shpinën, na kujton kohën e “bllokut VLAN” në vitin 2014.

Në atë vit sa ke qenë pjesë e “bllokut VLAN” i ke dhënë mbështetje Ramush Haradinajt për kryeministër.

Por kur i preferuari yt Isa Mustafa iu prishi juve planet duke u bërë kryeministër, ti shpërtheve në akuza edhe ndaj Isës edhe ndaj Ramushit.

Por mos harro, tani nuk ka kohë për demagogji, shpifje dhe linçime.

Tani të pret detyrë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore.

Je kryeministër në ardhje.

Ulu, puno dhe zhvilloje strategjinë për realizimin e premtimeve tua.

Të gjithë ne e dijmë që ty dhe lëvizjes që ti udhëheq VV-së i mungon plani zhvillimor ekonomik.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë që ti të punosh për mirëqenien e tyre ekonomike dhe sociale, e jo që ti të zhvillosh vizita ” patriotike” ende pa u zgjedhur kryeministër.

Albin, “mos bën hop pa e kaluar gardhin”.

Gëzim Kelmendi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme