Kelmendi: Me Pakon Fiskale II, 100 mijë artikuj do të lirohen nga dogana

Istog | 27 Pri 2017 | 16:17 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, në kuadër të vizitave që po u bënë komunave dhe bizneseve të ndryshme nëpër Kosovë, sot qëndroi në Komunën e Istogut, ku u prit nga kryetari Haki Rugova me bashkëpunëtorë.

Kelmendi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, në veçanti atë të bujqësisë, duke shtuar se Istogu është një komunë ku mund të zhvillohet agroindustria dhe industria e lehtë.

Ndërkaq, kryetari i Istogut, Haki Rugova, falënderoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën, duke vlerësuar rolin e tij në përkrahje të bizneseve, sidomos prodhuesve dhe fermerëve vendorë.

Kryetari Rugova më tutje theksoi se kjo komunë ka potenciale zhvillimore që t’ju krijojë mundësi bizneseve për një klimë të favorshme, duke falënderuar Qeverinë Mustafa për hapat e ndërmarrë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e perspektivës së qytetarëve në Istog dhe më gjerë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi i shoqëruar nga kryetari Rugova është takuar edhe me përfaqësuesit e bizneseve të kësaj Komune.

Kelmendi, para bizneseve të pranishme, paraqiti të arriturat, prioritetet dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës në krijimin e politikave më të favorshme për prodhuesit vendorë.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Kelmendi i njoftoi për Pakon Fiskale II, e cila pritet të finalizohet dhe miratohet në Qeveri, që do të përfshijë mbi 100 mijë artikuj që do të lirohen nga dogana.

Më pas, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi edhe rezervatet ku kultivohet peshku të kompanisë “Trofta”, kompaninë e qumështit “Vita” si dhe Fabrikën për Prodhimin e lëngjeve “Getrinke”- Sinalco Kosova.

Ai ka  vizituar edhe plantacionin e mollëve në fshatin Kovrag, ku pa nga afër punët por edhe dëmet e shkaktuara nga temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, duke shprehur përkushtimin për shqyrtimin e mundësive për të ofruar përkrahje.

Kryetari Rugova shprehu shqetësimin për dëmet që u janë shkaktuar fermerëve duke kërkuar ndihmën e Qeverisë.

Safet Blakaj, kryetar i shoqatës “Pema” nga fshati Kovrag, u shpreh i lumtur me vizitën e zëvendëskryeministrit Kelmendi dhe kryetarit Rugova, duke prezantuar dëmet e shkaktuara dhe duke kërkuar mbështetjen e Qeverisë dhe të Komunës në kompensimin e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme