Kelmendi: Të përkushtuar të avancojmë shkëmbimin tregtar ndërmjet dy shteteve

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 13:42 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe nënkryetarin Kristo Kiço.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, u bisedua për të arriturat në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, për shkëmbimin tregtar ndërmjet dy shteteve, si dhe për mbështetjen në sektorin e bujqësisë në veçanti.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, është e përkushtuar që të avancoj maksimalisht shkëmbimin tregtar të dy shteteve dhe në këtë kontekst ne biseduam me kryetaren e Bashkisë së Sarandës, që është një prej zonave të prodhimit të caktuar, që t’i ftojmë qytetarët që të konsumojnë maksimalisht produktet e prodhuara në Sarandë dhe në përgjithësi në Shqipëri”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Më tej, zëvendëskryeministri Kelmendi kërkoi që produktet e prodhuara në Kosovë, të gjejnë një ambient dhe ekspozim të duhur në Sarandë, në mënyrë që edhe ato të konsumohen. “Ne së bashku ta ndërtojmë një treg unik, për të cilin nuk na pengon askush dhe ky treg të jetë treg i fuqizimit të dy prodhimtarive, të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha zëvendëskryeministri.

Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, kërkoi bashkëpunim të shtuar në fushën e ekonomisë.
“Kemi ardhur në Prishtinë së bashku me një ekip nga Bashkia e Sarandës, drejtues të bizneseve dhe sipërmarrës të sferave të ndryshme të biznesit, për të bërë një prezantim të asaj se çfarë mund të bëjmë ne në këtë drejtim dhe për të marrë një shije te të gjithë ata investitorë, biznesmenë të Kosovës, për të ardhur dhe shtuar këmbimet e deritanishme”, tha kryetarja Koka.

Kryetarja Koka, falënderoi shqiptarët nga Kosova që këtë verë, por edhe në vitet e kaluara, zgjodhën t’i kalojnë pushimet verore në Sarandë, duke sfiduar distancat e largëta por edhe duke sfiduar mosnjohjen e terrenit.

kelmendi-1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme