Komuna e Prishtinës ka përuruar këndin e parë rekreativ të ndërtuar tërësisht me materiale organike në Parkun e Gërmisë, raporton Ekonomia Online.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama, theksoi se me një sipërfaqe prej 2 mijë metrash katrorë, ky projekt përfshin hapësira të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat, duke promovuar edukimin, shëndetin dhe rekreacionin në natyrë.
“Është i pari i kësaj natyre – i ndërtuar me materiale organike, tërësisht prej druri. Ka një sipërfaqe prej 2 mijë metrash katrorë dhe është projekti i parë i këtij lloji që do të vazhdojmë në të gjitha pjesët e Prishtinës. Është një sistem i sigurt për fëmijët, ka funksion edukativ dhe është i përshtatshëm për të gjitha grupmoshat, duke filluar nga mosha tre vjeç. Urime Prishtina dhe urime fëmijë të dashur,” – deklaroi Rama.
Këndi është mbështetur nga Raiffeisen Bank, përfaqësuesit e së cilës shprehën entuziazmin e tyre për të kontribuar në mirëqenien e komunitetit dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Ne jemi gjithmonë të lumtur të mbështesim komunitetin. Jemi të lumtur të investojmë në natyrë, në shëndet dhe mirëqenie. Siç e përmendi edhe Dimitra, gjithçka është organike – është prej druri. Mendoj se është një parajsë e vogël për fëmijët. Personalisht, më pëlqen të kaloj fundjavat këtu në Gërmi. Është një përvojë unike, afër qytetit, që të ofron një hapësirë të tillë. Me këtë kënd lojërash, vendi bëhet edhe më i vlefshëm për prindërit dhe fëmijët që duan të kalojnë kohë cilësore bashkë. Është pak si një dhuratë për Prishtinën,” – u shpreh përfaqësuesi i bankës.
Drejtoresha e Parqeve, znj. Donika Çeta, theksoi se ky është këndi i parë i këtij lloji në rajon, dhe se koncepti gjithëpërfshirës i tij nxit edukimin fizik dhe shëndetësor.
“Ky është këndi i parë i tillë në rajon, me një sipërfaqe prej 2 mijë metrash katrorë. Jo vetëm që është ndërtuar nga elemente druri, por edhe koncepti i tij është gjithëpërfshirës, duke nxitur edukimin fizik dhe shëndetësor. Përfshin të gjitha moshat dhe ka edhe panele të sigurisë për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin ndaj tij. Kjo qasje do të inkuadrohet edhe në lagje të reja, me qëllim që të edukojmë brezat e ardhshëm për një jetë më të shëndetshme dhe më të sigurt,” – përfundoi Çeta.