Këngëtarit të njohur serb Goran Bregoviq dhe grupit të tij i është refuzua hyrja në Moldavi, pasi u ulën në aeroportin e Kishinaut të dielën.
Artisti i cili në një koncert në vitin 2014 ishte vlerësuar me çmimin “Çelësi i Tiranës” në atë kohë nga Edi Rama, që ishte kryetar i bashkisë, do të performonte në Festivalin Gustar.
Sipas mediave moldave, Policia kufitare nuk ka dhënë ende një shpjegim për rastin, por besohet se një faktor mund të ketë qenë qëndrimi prorus i Bregoviqit.
Bregoviq ka mbështetur hapur pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimin rus të Ukrainës. Më herët, autoritetet në Kishinau thanë se personat publikë që bëjnë thirrje për luftë, përçarje dhe urrejtje janë të padëshirueshëm në territorin e Republikës së Moldavisë.
Organizatorët e Festivalit Gustar thanë se ishin të zhgënjyer nga vendimi për të mos lejuar hyrjen e Bregoviqit në Moldavi. Ata thanë se e kishin pritur me padurim performancën e tij dhe se ai është një artist i talentuar, transmeton Paparaci.
Gjithashtu, vetë Bregoviq shprehu keqardhjen e tij që nuk mundi të merrte pjesë në eventin muzikor.
Ai tha se bën turne të shumta me muzikantët e tij në të gjithë Evropën dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë vështirësi askund tjetër. Incidenti është një shenjë tjetër e kundërshtimit të Moldavisë ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.
Moldavia është një vend i vogël i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë. Ajo ka një popullsi prej rreth 3 milion njerëz. Megjithatë, Bregoviq kishte shkaktuar incidente dhe pakënaqësi edhe në Shqipëri, pasi kishte marrë pjesë në Festën e Birrës në Korçë, më 2021.
Mijëra qytetarë e personalitete të tjera në Kosovë dhe Shqipëri kishin kundërshtuar pjesëmarrjen e tij në atë festival.
Kjo nuk ishte hera e parë që këngëtari u shfaq para publikut në Shqipëri. Ai pati mbajtur një koncert të madh në Tiranë në vitin 2014, ku edhe ishte vlerësua me çmimin “Çelësi i Tiranës” në atë kohë nga Edi Rama i cili ishte kryetar i bashkisë, e tash kryeministër në Shqipëri.
Bregoviqi ishte kthyer në frymëzuesin e miteve serbe, frymëzuesin e masakrave në Kosovë, sidomos me këngët “Kallashnikov”.