Keqmenaxhim i barnave nga lista esenciale

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 09:47 | Nga

Ministria e Shëndetësisë qe gjashtë vjet nuk e ka ndryshuar listën esenciale të barnave. Mospërditësimi i saj ka bërë që shumë barna, të cilat nuk janë të nevojshme, të mbesin në stoqe dhe t’u dalë afati, derisa barnat e tjera për të cilat pacientët kanë kërkesa ende nuk janë futur në listë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Shumë barna nga lista esenciale vazhdojnë të mbahen në stoqet e institucioneve shëndetësore e ndonjëherë ndodh që edhe t’u dalë afati për shkak se nuk ka kërkesa për to. Në anën tjetër, pacientët e sidomos personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë t’i blejnë vetë shumë produkte medicionale për shkak se ato nuk gjenden në listë esenciale dhe nuk sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ka edhe korrupsion nga kompanitë farmaceutike në lidhje me përshkrimin e barnave të njëjta, me të cilat ka furnizim të mjaftueshëm.

“Mungesa e algoritmeve dhe e protokolleve klinike, për të cilat ne kemi bërë hapa gjigantë në proces, është një element që u mundëson mjekëve që të përshkruajnë lloj-lloj bari sipas vlerësimeve të tyre të lira e që si pasojë kemi paraqitjen e mungesave në furnizim. Qysh përshkruhet, një paralele e barit, i cili veç ekziston në depo, por me një emër tjetër. Këtu mund edhe të mos ketë ndikime me elemente korruptive nga kompanitë farmaceutike, por ec e beso”, ka thënë ai.

Sipas tij, implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH) do të ishte zgjidhja e kësaj çështjeje.

“I kam prekur nga afër tendencat për presion dhe favorizime. Jam thellë i bindur se implementimi i SISH-it dhe Sigurimet Shëndetësore janë zgjidhja e problemit. SISH-i shërben për evidencë të saktë dhe në kohë reale, ndërsa Fondi ka mekanizma për kontroll të përshkrimit të barnave nga mjekët sipas tekeve dhe qejfit”, ka thënë ai.

Rrahmani e ka mohuar se gjatë mandatit të tij janë blerë barna, të cilave më pas në institucionet shëndetësore u ka skaduar afati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme