Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, kanë ndërmarr të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetar të Komunës në Drenas, të cilat do të mbahen më 4 dhjetor.
Kështu u tha në konferencën e përbashkët të këtyre tri institucioneve, duke siguruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që procesi zgjedhor në Drenas të shkojë në mënyrë të rregullt, konform ligjeve në fuqi.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit në KQZ Enis Halimi tha se tashmë të gjitha materialet janë në depo.
Ndërsa sa i përket pastrimit të listave dhe votimit të dyfishtë, Halimi tha se listat janë pastruar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Koordinatorja nacionale nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka paralajmëruar se do të arrestojnë të gjithë ata persona që keqpërdorin votën në Drenas, kurse për tentim votimin e dyfishtë, prokurorja Laura Pula tha se do t’i përgjigjen me 3 deri në 5 vjet burgim, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu të gjitha informacionet dhe postimet e rrejshme në portale, por edhe rrjete sociale sipas prokurorisë, do të jetë subjekt i hetimeve.
Ajo tha se adresa e vetme e raportimit të rasteve të keqpërdorimit të mundshëm gjatë procesit zgjedhor, është Prokuroria dhe Policia e Kosovës.