Profesori i Shkencave Politike në Universitetin “Saint Mary” të Londrës, James Ker Lindsay, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se nuk ekziston asnjë plan për daljen nga kriza të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, procesi tash është në kaos, dhe Shtetet e Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian do të duhej të punojnë së bashku për gjetjen e një zgjidhjeje.
Radio Evropa e Lirë: Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se anulimi i Samitit të Parisit është dëshmi se roli i SHBA-së është kyç për vazhdimin e dialogut duke shtuar se nuk është e mundur asgjë të bëhet pa mbështetjen e SHBA-së. A pajtoheni me këtë vlerësim?
James Ker Lindsay: Po, dhe jo. Po, sepse ne gjatë dekadës së kaluar vet e kemi krijuar këtë situatë, kur Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian e morën rolin e liderit në këtë proces. Por, prap se prap mendoj se ekzistojnë dallime midis mënyrës se si Komisioni Evropian ka dashur të udhëheqë këtë proces, dhe se si në anën tjetër Berlini ka dashur ta udhëheqë atë.
Është e qartë se në prag të përfundimit të mandatit të Komisionit, Berlini ka dashur të marrë udhëheqjen e këtij procesi (dialogut Kosovë-Serbi) dhe bëri gabim në mënyrën se si e bëri këtë. Mendoj se këtu ekziston edhe problemi tjetër; kredibiliteti i Francës në Ballkanin Perëndimor në këtë moment është i vogël, pasi Franca është në krye të një blloku vendesh që kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Si Franca ashtu edhe Gjermania mendojnë se do të jenë në gjendje të anashkalojnë Komisionin Evropian që ka qenë përgjegjës lidhur me negociatat për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Si mund të udhëheqin, Franca ose Gjermania kur njëra prej tyre, po përpiqet t’ia mbyllë mundësitë Ballkanit Perëndimor dhe të bllokojë anëtarësimin e vendeve të tij në BE.
Natyrisht se ky nuk është një kombinim i mirë dhe kontribon që SHBA-ja të fitojë autoritet më të madh në bisedime. Prishtina dhe Beogradi, për shumë arsye, më përpara do të preferonin përfshirjen e SHBA-së në bisedime sesa të Gjermanisë. Natyrisht se problemi qëndron në faktin se përbërja e re e Komisionit Evropian do të formohet në vjeshtë, dhe është pikëpyetje nëse do të mund t’i bind përsëri palët për rëndësinë e rolit që ka. arrihet marrëveshje me Serbinë
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se për të dyja palët, Prishtinën dhe Beogradin, Uashingtoni është partner më i dëshirueshëm sesa Bashkimi Evropian?
James Ker Lindsay: Kështu është tani për tani. Por, nuk do të duhej të ishte kështu. Roli kyç duhet të jetë i Bashkimit Evropian, por BE-ja nuk duhet të jetë e pafuqishme. Një nga arsyet për këtë është se jemi në fund të mandatit të Komisionit Evropian. Opinionet janë thellësisht të ndara në lidhje me çështjen se në çfarë situate është dialogu dhe cili duhet të jetë fokusi.
Pra, Shtetet e Bashkuara kanë marrë rolin udhëheqës, por natyrisht se kjo duhej t’i takonte Bashkimit Evropian. Ky është një proces që duhet ta udhëheqte Bashkimi Evropian. Pra, në fund të ditës, situata që kemi është një kaos. E gjithë kjo histori më të vërtetë është udhëhequr keq. Mendoj se kjo është pikërisht ajo që ndodh kur keni një lojtar kyç në gjendje të dobët, për shkak të rrjedhës së natyrshme të politikës. Përfaqësueses së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i kalon mandati, në vjeshtë do të kemi udhëheqjen e re të Komisionit Evropian. Pra, arsyeja e pafuqisë paraqitet gjithmonë kur jemi në fund të mandatit të Komisionit Evropian.
Gjermania dhe Franca do të duhej të thoshin “shikoni përderisa këtu është Komisioni Evropian, ai ka autoritetin dhe në e mbështesim”, por ato nuk po e bëjnë këtë pikërisht për arsyet e lartëpërmendura. Në vend të kësaj, të dyja vendet po paraqesin inciciativa vetanake. Mendoj se kjo është shumë keq. Ato do të duhej të kishin agjendë të përbashkët kur është fjala për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë aktualisht, Gjermania duket se më shumë dëshiron të tregojë se është e bashkuar në një qëndrim me Francën, sesa po mendon në mënyrë strategjike se çfarë është mirë për Ballkanin Perëndimor. E tërë kjo situatë duket pak qesharake.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se roli i SHBA-së në dialogun Kosovë- Serbi në këtë moment është konstruktiv?
James Ker Lindsay: Kësaj, nuk mund t’i përgjigjem me një fjali pasi varet nga shumë gjëra tjera. Për momentin kemi një situatë shumë komplekse. Mendoj se SHBA-ja mund të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe mund të luaj rol pozitiv. E vetmja gjë që aktualisht mund të bëhet në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit është se bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje.
Për momentin këtë nuk po e shohim, pasi po shohim ndasitë brenda BE-së , shohim mosmarrëveshje brenda aktorëve kryesorë, BE-së, SHBA-së dhe Francës. Gjermania dhe Britania e Madhe janë në pozicion të njëjtë i cili është ndryshe nga ai që mbajnë Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq Franca e ka pozicionin e saj. Shtetet e Bashkuara plotësisht mund të bëhen faktor jetik, por për momentin kemi kaos. Në fakt, Shtetet e Bashkuara, janë bërë pjesë e problemit sepse ne kemi një tendencë për të anashkaluar BE-në dhe që roli kyç t’i kalohet SHBA-së. Por, ne e dimë se Bashkimi Evropian është bartës i rolit më të rëndësishëm në gjithë këtë proces. Pra, nëse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku – po, Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol konstruktiv
Nëse SHBA-ja luan lojën e saj, mendoj se do të shohim se pjesëmarrësit e procesit do të luajnë lojrat e tyre me SHBA-në, siç po luajnë tani me BE-në.
Radio Evropa e Lirë: A mund të konkludohet se presioni ndaj Prishtinës dhe Beogradit ka qenë si rrjedhojë e vullnetit të mirë të Berlinit dhe Parisit për të çuar përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?
James Ker Lindsay: Të kthehemi në temë, nuk ka qenë e qartë cili ka qenë qëllimi i takimit të Berlinit, dhe çfarë kanë shpresuar të arrijnë me atë takim. Disa thonë se takimi është mbajtur për t’i vënë pikën temës për shkëmbimin e territoreve, dhe disa të tjerë thonë se pikërisht kjo edhe ka ndodhur.
Problemi qëndron aty se nuk janë paraqitur teori të reja për të dalur nga kriza. Nëse nuk dëshironi të flisni për shkëmbimin e territoreve, atëherë cila është alternativa? Çfarë po vendosni në tryezën e diskutimin që do të mundësonte lëvizjen përpara? Askush nuk paraqiti diçka të tillë dhe mendoj se kjo gjithashtu është pjesë e problemit. Askush nuk paraqiti ndonjë zgjidhje të mundshme apo ide të reja. Vetëm u tha se, mirë kjo nuk ka pëlqen, le ta ndalojmë, mirëpo çështja është se cili është plani që gjërat të lëvizin përpara. Me sa po e shoh unë, nuk ekziston asnjë plan i tillë.