Kërçeli i VV-së: Çka është duke ndodhë me suficitin rekord në Komunën e Prishtinës?

Prishtinë | 19 Nën 2023 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për financat e Komunës së Prishtinës.

Kërçeli ka thënë se pretendimi i komunës se po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur, sipas tij, komunës së Prishtinës çdo viti i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.

Ka kohë që Komuna e Prishtinës po e akuzon qeverinë që nuk po jep mbështetje financiare për projektet e mëdha.

Postimi i plotë:

Çka është duke ndodhë me suficitin rekord në Komunën e Prishtinës?!
Nëse shohim raportet financiare, del se nga viti 2021 Komunës së Prishtinës i patën tepruar 38 milionë euro suficit buxhetor, të cilat i kishin bartur në vitin 2022, me arsyetimin se ishte pandemia dhe nuk ishte arritur të shpenzohej ky buxhet. Kurse në vitin 2022 kur erdhi qeverisja e re, suficiti buxhetor lëre që nuk ishte ulur, por kishte thyer rekord me 49 milionë euro të cilat poashtu u bartën në vitin 2023 me arsyetimin se qeverisja e kaluar kishte planifikuar keq.

Arsyetimin e kishin të gatshëm menjëherë. Ja një deklaratë e nënkryetarit të Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar “Projekti nuk është emër dhe numër, projekti lypë përgatitje e këto përgatitje i kemi gjetë keq”.
Mirëpo dita-ditës po dëshmohet se këta lëre që nuk dijnë të menaxhojnë me planifikimet e kaluara, por edhe me ato që i planifikojnë vet do thyejnë rekord suficiti me mbi 49 milion euro.

E tash për të mbuluar marren, kanë filluar të japin subvencione për shokë e familjarë, si në aksham-pazar, me shpresën se do ta ulin pakëz suficitin rekord që do ta kenë edhe sivjet.
Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.

Të ngjashme