Oliver Ivanoviq, i vrarë të martën në Mitrovicën e Veriut, kishte raportuar një numër të kërcënimeve dhe kishte kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet e Serbisë edhe nga ato të Kosovës, por ishte injoruar.
Ai dhe familja e tij kishin marrë disa herë kërcënime për jetë, por kërkesat e tij për ndihmë përfunduan pa rezultate.
“Ata bënë gjithçka që kanë mundur të bëjnë ndaj meje, përveç të më vrasin- por edhe kjo nuk përjashtohet”, tha Ivanoviq për televizionin rajonal N1 në nëntor të vitit të kaluar.
Vetura e Ivanoviqit ishte djegur më 28 qershor, disa muaj para zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Ai drejtonte Iniciativën Qytetare të quajtur “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP) dhe veproi si kundërshtare e partisë kryesore të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, e cila tani është pjesë e qeverisë së Kosovës.
Ivanoviq tha për N1 se qëllimi i kërcënimeve është frikësimi i kundërshtarëve përreth tij.
Sipas një raporti nga një konferencë për shtyp e Ivanoviqit, e mbajtur pas incidentit të vitit të kaluar, ai tha se është një gjë e tij që dikujt nuk i pëlqen. “Politika ime”, theksoi ai.
Pas incidentit ai i tha RTK-së që e ka informuar lidershipin e Serbisë, të Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar, EULEX-in, prokurorët dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it për kërcënimet dhe presionet ndaj tij.
Kjo nuk është hera e parë që vetura e Ivanoviqit ishte djegur.
Një incident i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2005, kur një bombë ishte vendosur nën veturën e tij, e cila ishte parkuar para ndërtesës ku jetonte.
“Nuk pres asgjë nga policia, sepse deri tani asgjë nuk është bërë në situata të ngjashme. Ose është një çështje e mungesës së kompetencës, që e dyshoj, ose një mungesë e kurajës për të hyrë në konflikt me kriminelët dhe për t’i zgjidhur rastet e tilla”, ai i tha Beta News në korrik.
Në shtator të vitit 2013 para zgjedhjeve të atëhershme lokale, një person i panjohur hyri në apartamentin e Ivanoviqit dhe e sulmoi gruan e tij, sipas raportimit të mediave serbe.
Ivanoviqi atëherë ishte kandidat për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Në të njëjtin vit, dikush ndezi një zjarr në selinë e partisë së tij. Edhe këtë herë Ivanoviqi i tregoi mediave se ishte i sigurtë se motivi ishte politika e tij.
Zëdhënësja e partisë së Ivanoviqit, Ksenija Bozhoviq, i tha BIRN-it :” Askush nuk mund të thotë se nuk e kanë ditur”.
“Ç’farë tjetër do duhej t’i ndodhte në mënyrë që dikush të reagojë?”, pyeti ajo.
Bozhoviq shtoi se kryesit nuk u gjetën në asnjërin prej rasteve.
“Ai ishte i frikësuar për jetën e tij, për sigurinë e familjes së tij dhe i informoi të gjithë për këtë- Serbinë, Kosovën, komunitetin ndërkombëtar.
“Të gjithë e dinin”, tha ajo.
Policia e Kosovës dhe e Serbisë nuk u përgjigjën në pyetjet e BIRN-it për kërcënimet që Ivanoviqi kishte raportuar më herët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha të martën se shërbimet e sigurisë së Serbisë, nuk kishin asnjë dijeni për ekzistencën e kërcënimeve direkte ndaj Ivanoviqit.
Ivanoviqi u qëllua për vdekje në mëngjesin e hershëm të së martës para zyrës së tij dhe vdiq pak më vonë në spital.
Vrasja e tij u dënua gjerësisht nga BE dhe zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë.