Kërcënohet familja e dëshmitarit të vrarë të Speciales, thonë se janë izoluar nga frika (Video)

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar tetë muaj, por organet e drejtësisë ende nuk i kanë rënë në gjurmë personit që e vrau me armë zjarri rojën e pyllit Nazmi Rrustemin te Liqeni i Badovcit. Vrasjen, familjarët e tij e lidhin me faktin se ai ishte dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Djali i tij, Florimi ka rrëfyer për Gazetën Objektiv se si babai i tij ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it vetëm tre muaj para se të vritej.

 “E kemi marrë vesh ma vonë, veç kur ka thënë kam me shkuar ne EULEX po nuk kam çka me fol. Edhe kur u kthye nuk ka tregu çka ka fol”, tha Rrustemi.

Por, kërcënimet ndaj 63-vjeçarit, punonjës i Komunës së Prishtinës, nisën vite më parë. Sipas djalit të tij, ai fliste shpesh në telefon me dikë, i cili edhe e kishe vizituar te shtëpia e tij, në lagjen e profesorëve në Prishtinë.

 “Nuk e dimë na se ai nuk ka fol kurrë, nuk ka tregu që me thanë kam kërcënime prej dikujt, por dikush e ka thirr non-stop në telefon nja dy vjet a tri vjet, e ka kërcënuar e ka sha, ka dalë prej shpije ka fol në rrugë me to. E kemi pyet disa herë çka është problem nuk na ka tregu”, potencoi Rrustemi.

Por, telefoni përmes të cilit besohet se u kërcënua vazhdimisht i ndjeri,  tashmë është zhdukur.

“Nuk na kanë kthyer neve kurrgjë, as teshat, as telefonin as kurrgjë hiç. Njëherë kanë thanë e kemi gjet telefonin e tash po thonë jo se kemi gjetë ende. Hetuesit e policisë janë kanë edhe na kanë pyet a ka diçka, a keni dëgjuar diçka”, tha Rrustemi. 

Rrustemi thotë edhe tani kur ia kanë vrarë babain, familja e tij ende po kanë kërcënime nga persona të panjohur. Madje thotë se për këtë shkak janë detyruar edhe të izolohen në shtëpi.

“U kanë dikush deri mbrapa shtëpisë, jena dalë e kina pa u dalë ka ikë u shku andej, nuk pe dimë kush u kanë. Këtu s’ka as çka me vjedh. Tash jemi edhe ne të dyshimtë prej rastit të babës çka ka ndodh. Nuk po ndihem rahat se nuk po mundemi as me dalë askund, as nuk po guxojmë me i lanë fëmijën me shku në shkollë”, shtoi Rrusemi.

Florimi shprehet i pa kënaqur edhe me punën e organeve të rendit, ai kërkon që të ndriçohet rasti i babait të tij.

“Nuk dimë kurrgjë as nuk na kanë lajmëruar kurrgjë, ai në vend të punës u vra. As nuk na ka lajmuar askush me na thana që u zbardhë rasti i tij”, ka përfunduar Rrustemi. 

Ndërkohë familja Rrustemi, kanë kërkuar nga komuna e Prishtinës ta punësojë dikë nga familja në vend të ndjerit, pasi thonë se nuk e kanë për momentin asnjë anëtar të familjes të punësuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme