Kërcënohet me jetë ministri i Jashtëm i Greqisë

Prishtinë | 02 Shk 2018 | 16:58 | Nga

Ministri grek i Rendit, Nikos Toskas, gjatë një emisioni informativ të mëngjesit të së premtes ka zbuluar se kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, ka marrë një letër ku kërcënohej për jetën e tij dhe të familjes së tij.

“Kemi 3 plumba ndaj teje”, thuhej në letrën që ai ka marrë, e cila ndodhej në një zarf anonim që ka mbërritur ditën e enjte në Ministrinë e Jashtme, ndërsa thuhet se letra përfundonte me frazën “ushtria duhet të hyjë në Parlament”.
Kryediplomati grek është pozicionuar më vonë, me anë të një postimi në Twitter, ku shkruan se sisteme të caktuara, gazeta dhe kanale televizive që prej kohësh hedhin baltë mbi të, janë autorët moralë të kërcënimeve, shkruan Top Channel.

“Pres – ka thënë ai, – që edhe Demokracia e Re dhe Kisha greke të dënojnë aktin përkatës”.

Sipas burimeve të policisë, që ka filluar hetimet për çështjen, ndaj zotit Kotzias është dërguar edhe një letër tjetër kërcënuese në shtëpinë e tij, si dhe 4 të tjera ndaj ministrave të kabinetit “Tsipras”.

Në letër ka paralajmërime për çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe kërcënime për ata që janë shprehur kundër tubimeve që kundërshtojnë që termi “Maqedoni” të jetë pjesë përbërëse e emrit të ri të fqinjit verior të Greqisë.

Informacione të tjera të pakonfirmuara thonë madje se ka pasur edhe dy telefonata kërcënuese për jetën në shtëpinë e Kotziasit.

Të gjitha partitë politike greke kanë nxjerrë deklarata për shtyp, ku dënojnë kërcënimet ndaj politikanëve grekë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme