Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, është kërcënuar me jetë.
Drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, ka marrë mesazhe këcënuese për jetën. Sipas TPZ.al, këto kërcënime vijnë menjëherë pas publikimit të aferës korruptive, me tenderin e Unazës së Re dhe personave të cilët qëndrojnë pas kësaj afere.
Kërcënimet në drejtim të gazetarit, janë të formave të ndryshme. Ato janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Lidhur me këto kërcënime, gazetari u është drejtuar organeve kompetente. Pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve, emisioni “Të Paekspozuarit”, do të vijojë të kryejë detyrën dhe misionin e vet në interes të publikut.
Zbulimi i skandalit nga TPZ
Emisioni “Të Paekspozuarit”, arriti të zbulojë disa ditë më parë një mega skandal, lidhur me kompaninë Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania) e cila është fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe.
Kjo kompani ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, për të vërtetuar se kompania është themeluar në vitin 1998.