Kërcënoi gazetaren, pezullohet nga puna zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë është pezulluar pa pagesë për një javë nga puna pasi dyshohet se e kërcënoi se do ta “shkatërrojë” një gazetare që ishte duke i bërë pyetje për jetën private.

Dyshohet se TJ Ducklo e kërcënoi gazetaren e gazetës Politico, Tara Palmeri, e cila ishte duke e hulumtuar lidhjen e tij me një gazetare tjetër.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Pskai, tha të premten se zëdhënësi Ducklo i ka kërkuar falje gazetares. Sidoqoftë, ai vetë nuk ka komentuar për këtë rast, shkruan BBC.

Disa vëzhgues e kritikuan presidentin Biden për dështimin që të marrë masa më të rrepta. Më parë, ai kishte premtuar se do të shkarkojë secilin pjesëtar të stafit që flet me mungesë respekti ndaj kolegëve.

Gazetarja që dyshohet se u kërcënua ishte duke e hulumtuar marrëdhënien e Ducklos me Alexi McCammond, gazetare që ishte marrë me raportimin për fushatën zgjedhore të Bidenit.

Revista “Vanity Fair” raportoi se zëdhënësi i pezulluar nga puna e thirri në telefon gazetaren e Politicos dhe i tha: “Do të t’shkatërroj” si dhe bëri komente tjera nënçmuese.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se z.Ducklo nuk do të ketë më kontakte me gazetarët e Politicos, kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas pezullimit.

Të ngjashme