Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar kërkesën e Qeverisë së Turqisë e parashtruar përmes Ambasadës së Turqisë në Prishtinë për arrestimin dhe dënimin e gazetarit Berat Buzhala.
AGK e konsideron shkelje të rëndë kërkesën e Ambasadës Turke drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës e ku bëhet thirrje për marrjen e masave ndaj gazetarit Buzhala.
“Njëherësh rikujtojmë ambasadën turke se gazetarët në Kosovë e kanë të drejtën e lirisë së fjalës e cila nuk guxon të rrezikohet nga askush pasi është e drejt e garantuar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Pas publikimit të këtij rasti, AGK-ja ka komunikuar me gazetarin Buzhala i cili ka njoftuar se “statusi në Facebook” ka qenë krejtësisht i karakterit sarkastik.
“Nga Ambasada Turke në Prishtinë kërkojmë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që po ashtu kërkojmë largimin nga Kosova të ambasadores së Turqisë, Kivilcim Kiliç”.
“Një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për komunitetin tonë”.
Kërkesa e Ambasadës Turke për burgosjen e Buzhalës vlerësohet skandaloze
Pas lajmit të publikuar nga agjencia britanike Reuters se më 20 korrik, ambasada turke në Prishtinë i dërgoi një letër ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmerr veprim për komentet e gazetarëve, duke cituar dhe analistin e njohur Berat Buzhalan kanë reaguar menjëherë gazetarë dhe analistë të njohur në vend.
Duke e vlerësuar si një veprim skandaloz Kryeredaktorja e gazetës Zeri Arbana Xharra ka shkruar në Facebook: ” Kjo jo vetëm qe kalon krejt normat e përcaktuara diplomatike te funksionimit te një ambasade…kjo është norma e autokracisë qe provon me implementuar zyra e diktatorit Erdogan ne shtetin qe e konsideron vilajet te vetin.”
Ndërsa, Zekirja Shabani nga Gazeta Fjala, ka thënë se “kërkesa e Qeverisë turke për burgosjen e gazetarëve në Kosovë është absurde dhe shembulli më i keq i demokracisë së programuar nga presidenti Erdogan”.
“Do të ishte edhe më skandaloze, nëse institucionet tona, në emër të ‘vëllazërisë’ së ndërsjellë, të shprehur deri më tani, të zbatonin një urdhër nga “vëllai” në Ankara. Mbytja e demokracisë fillon me kufizimin e lirisë së shprehjes, e cila ka kohë që ndodhë në Turqi, por nuk guxon të përcillet edhe në Kosovë”.
Shabani më tej theksoi që gazetarë të shumtë janë persekutuar e burgosur dhe shumë medie janë mbyllur me kërkesë të presidentit Erdogan, në emër të demokracisë e në dëm të qytetarisë e lirive themelore të njeriut në Turqi.
Ai i bëri thirrje dhe Qeverisë së Kosovës se duhet të punojë që të përmirësojë lirinë e medies në vend dhe të mos marrë urdhra nga askush për persekutimin e gazetarëve.
Shabani në fund të fjalës nënvizoi që në Kosovë gazetarët punojnë në kushte të rënda dhe në kërcënime të vazhdueshme nga biznesi e politika.