Kërkimet për trupin e peshkatarit, moti pengon palombarët të zhyten

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Moti i ligë dhe temperaturat e acarta e kanë bërë thuajse të pamundur zhytjen e palombarëve në ujërat e ftohta të liqenit të Pogradecit, për të kërkuar për trupin e peshkatarit Gëzim Seitllari, i humbur prej datës 31 dhjetor.

Palombarë nga Tirana kanë shkuar në Pogradec në ndihmë të kërkimeve, por pa mundur dot të zhyten këtë të enjte për shkak të temperaturave nën zero, që e bëjnë të papërballueshme situatën gjatë zhytjes, ndaj dhe kërkimet kanë vijuar me varka, me shpresën se trupi do të ketë mundur të dalë në bregun e liqenit, raporton TCH.

Gëzim Seitllari, 57 vjeç, doli për peshkim në orën 5 të mëngjesit të 31 dhjetorit, e prej atëherë nuk është kthyer më në banesë. Baba i dy fëmijëve, nga fshati Memlisht, ai humbi kontaktet me familjarët, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Të mërkurën në mëngjes, varka e peshkatarit është gjetur në thellësi të liqenit, së bashku me disa nga rrobat e tij në zonën e Hudenishtit, çfarë ka shtuar dyshimet se peshkatari është mbytur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme