Kuvendi Komunal i Prishtinës po mban mbledhjen e dytë për këtë vit. Në fillim të mbledhjes u kërkua që të bëhet një lapidar në lagjen “Sofali”, në Prishtinë, për viktimat e kësaj lagje që kanë rënë gjatë luftës së fundit, raporton Ekonomia Online.
Diskutim kishte edhe për pikën e 12 (Informatë për procesin e Planit të mobilitetit) dhe pika 13 (Informatë për hartimin e Hartës Zonale të Komunës së Prishtinës dhe Planit Zhvillimor komunal të Prishtinës) ku u kërkua që këto dy pika të futen në fillim të rendit të ditës pasi që janë më të rëndësishme dhe duhet diskutuar më shumë.
Asamblisti i LDK-së, Halim Halimi, kërkoi që të diskutohet për këto pika.
“Me i shti në rend dite këto kur e di se është nevoja tek rruga “Mati 1”, Harta Zonale punoni dihet në shtator dhe punohet në mënyrë të ligjshme e jo kështu qe 5 vite e njëjta gjë përsëritet, ka ndodh se u votu e u marr një vendim për nisjen e planeve naj ka kthy ministria për punë të kundërligjshme duhet të punojmë në bazë të ligjit e jo siç të ju teket”, tha Halimi.
Asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, tha se duhet të dihet se kur do të përfundojë Harta Zonale, të cilën komuna e Prishtinës e ka pramtuar tash e 5 vjet.
“Nëse zgjidhja qenka planet rregullatore atëherë Harta Zonale qenka e panevojshme, duhet me dit se a do vazhdoj komuna me përfundu Hartën Zonale për të cilën ka premtuar që 5 vite, afati është në mars po mund të zgjasë dhe do të zgjatë se sa afati që është. Kërkoj që pikat 12 dhe 13 të vendoset si e 3 apo e 2 sepse nuk mund të flitet për plane të hollësishme pa pas informata të detajuara se në çfarë pike janë”, tha Azemi.
E, asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, kërkoi që problemi për mungesën e parkingjeve të diskutohet në mbledhjen e sotme.
“Ka shumë pika qe do duhej të shtoheshin. Në një seancë në muaj nuk është e mjaftueshme me i trajtu gjitha problemet që ka komuna, e kemi identifikuar një problem mungesa e parkingjeve në Prishtinë, janë 1050 vetura të konfiskuara dhe mendoj se duhet të futet si rend i ditës sepse qytetarët çdo ditë po ballafaqohen me mungesë të parkingjeve”, tha Retkoceri, raporton EO.
Diskutimi për hartimin e Hartës Zonale me pajtim të asamblistëve me 27 vota pro dhe 15 kundër u vendos që kjo pikë të ndërrohet për diskutim me pikën e 10.
Kërkesa e Retkocerit për të futur në rend dite diskutimin për parkingje nuk mori votat e duhura për të realizuar këtë diskutim.