Kërkohet paraburgim për zyrtarin e ARC-së që i ndihmoi të kërkuarit nga Interpoli të nxjerrë dokumente

Prishtinë | 20 Kor 2023 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria në Prishtinë ka bërë kërkesë për paraburgim për zyrtarin e ARC-së, i cili dyshohet se i ka  ndihmuar një shtetasi të Shqipërisë që ishte i kërkuar nga Interpoli, që t’i nxjerrë letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e një personi tjetër.

Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me ndalimin e djeshëm te zyrtarit të ARC-së për Keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit, në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.

Dje, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi për ndalimin e të dyshuarit.

Në njoftim thuhej se i dyshuari “më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., kështu duke i mundësuar personit M.D., që të nxjerrë letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N.”

Të ngjashme