Kërkohet përmirësim i programeve trajnuese për çështje gjinore në IKAP

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 11:32 | Nga Medina Mehmeti

Koalicioni “Të drejtat e barabarta për të gjithë (ERAC)” prezantoi të gjeturat e raportit “Programet e trajnimit për çështje gjinore për administratën publike të Kosovës”.

Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se qëllimi i hulumtimit ka qenë të sigurohen që shërbyesit civilë trajtohen barabartë në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi dashur me u siguru që institucionet i ngrisin kapacitetet në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese për shërbyesit e tyre”.

“Deshëm të koncentrohemi vetëm te shërbyesit civilë, sepse kemi pa që mungon informacioni për çështje të caktume siç është ngacmimi seksual, diskriminimi”.

Sipas Demollit, do të duhej që Agjencia për Barazi Gjinore dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike ta zyrtarizojnë bashkëpunimin e tyre përmes një memorandumi mirëkuptimi për çështjet gjinore.

“Specifikisht agjensioni për barazi gjinore do të duhej të kishte një memorandum bashkëpunimi me IKAP-in. Nuk janë të nënshkruara dy dokumente të rëndësishme të cilat do t’i obligonin institucionet tona që në mënyrë të vazhdueshme të kishin trajnime për çështje gjinore”.

Reyes Charle, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se zëri i shoqërisë civile duhet të dëgjohet nga institucionet publike.

“Ju keni përmendur përfitimet që projekti juaj i ka dhënë tek individët dhe kjo është një prej arritjeve më të mëdha. Në një event si ky ju nuk jeni vetëm një partner i qëndrueshëm për BE-në, por keni treguar se kapacitetet tuaja për evokim të institucioneve janë të mrekullueshme dhe zëri i shoqërisë civile duhet të dëgjohet. Shpresojmë se ky trend të vazhdojë dhe shpresoj që institucionet publike të ju dëgjojnë juve”.

“Ne së fundi kemi lansuar një analizë gjinore dhe kemi prezantuar në Mitrovicën e Veriut. Zonja Apostolova e ka lansuar para disa jave dhe në fakt nuk është shumë pozitive situata e grave dhe djemve në Kosovë. Kemi pasë shumë pabarazi. Kjo analizë është bërë që të na informojë neve në zyrën e Be-së për gjendjen aktuale”.

“Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për barazi dhe për këtë arsye trajnimi është i rëndësishëm dhe pa dyshim që shërbimi civil është i rëndësishëm. Është esenciale që të gjithë shërbyesit civilë të jenë të një mendjeje”.

Jeta Bakija, menaxhere e projekteve në Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve, tregoi më gjerësisht për Koalicionin për të drejtat e barabarta, raporton EO.

“Koalicioni për të drejtat e barabarta është një koalicion i cili është formu me mbështetjen e BE-së. Është një rrjet i 7 organizatave të cilat promovojnë të drejtat e njeriut, kryesisht komunitetet joshumicë, RAE, LGBTI”.

“Gjatë 3 viteve jemi mundu me kriju një mekanizëm bashkëpunimi ku organizojmë trajnime dhe punëtori të ndryshme dhe mundohemi me lobu për mbrojtjen e të drejtave të grupeve që i ceka. Deri tani kemi publiku 7 raporte dhe i kemi edhe 15 për me i publiku në të ardhmen”.

Enver Haxhijaj, përfaqësues nga Instituti për Administratë Publike, i vlerësoi të rëndësishme dhe të mirëseardhura për Administratën Publike të gjeturat e këtij hulumtimi.

“Vlerësimi i rezultateve të organizatave dhe nëpunësve civilë, ekzekutimi i trajnimeve nga trajnerë profesionistë bënë të mundur të përfitojmë nga një trajnim me nivel të lartë. Prezantimi  i raportit është i rëndësishëm sepse përbën një moment kyç në situatën që jemi tu kalu. Kemi nxitur propozimin që të ndryshohet mënyra e financimit të trajnimit. Çdo e gjetur do të jetë me vlerë të madhe dhe i mirëseardhur”.

Lavdi Zymberi, hulumtuese, prezantoi të gjeturat që kanë dalë nga ky raport.

“Në 2015 nuk ka pasur asnjë trajnim për çështje gjinore. As në 2016 nuk ka pasur ndonjë trajnim. Më 2017 është mbajtur vetëm një trajnim për trajnerë me 15 pjesëmarrës – 14 gra dhe 1 burrë , 6 trajnime dyditore për 88 shërbyes civilë, prej të cilëve 63 ishin gra dhe 25 burra”.

Të ngjashme