Qendra për Informim dhe Kulturë e Bashkimit Evropian ka organizuar diskutimin lidhur me “Menaxhimin Efektiv të Mbeturinave dhe Riciklimit në Kosovë”, në kuadër të kampanjës për mbrojtjen e mjedisit.
Libor Chlad, Zëvendësshef i Sektorit të Bashkëpunimit në zyrën e BE-së, i cili jeton për katër vjet në Kosovë, u shpreh shumë i pakënaqur me kushtet e ambientit në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.
Ai deklaroi se BE-ja është donatori kryesor në Kosovë e cila ndanë 100 milionë euro, disa nga të cilat janë të dedikuara për ambientin. Ai shtoi se kohëve të fundit kemi vendosur ambientin në agjendë si sektor prioritar.
“Duhet e lëvizim nga e folura në veprim. Nevojat dhe kërkesat për ambient të pastër, buron nga qyetarët e vendit dhe jo të huajt që vijnë këtu për një kohë të caktuar. Kjo platformë është e shkëlqyer dhe mund të tregojë esencën e problemit”.
Ai bëri të ditur se BE-ja është në fazën e planifikimit të asistencës financiare për ambientin në Kosovë në të ardhmen.
“Po presim me padurim rishikimin e strategjisë për mbetjet në Kosovë. Qëllimi është të krijojmë një deponi të mbetjeve të rrezikshme, ato të vijnë nga spitalet apo mbetjet industriale, këto janë disa nga fushat ku jemi të fokusuar”.
Ai vlerësoi se ripërdorimi dhe riciklimi i mbeturinave janë shumë të rëndësishme.
Drejtori i organizatës “Let’s Do it Kosovo”, Luan Hasanaj, tha se Kosova vazhdon të këtë probleme me ndotje dhe me nivelin e vetëdijsës për të mbrojtur ambientin. Ai vlerësoi se në Kosovë mungon një qasje e drejtë se si duhet të zgjidhet kjo çështje.
“Kemi bërë kërkese ne qeveri që të krijohet task-forca, është krijuar me 10 ministri. Kemi arritur të krijomë 35 task-forca në të gjitha komunat e Kosovës. Kemi vazhduar me mobilizimin e akterëve për eliminimin e deponive ilegale. Është e vetmja mënyrë që të depërtojmë në gjithë Kosovën. Po vërehet një lëvizje, në risi”.
Hasanaj tha se duhet të mundohemi të ndikojmë që hapësira publike të shfrytëzohet si duhet dhe ato të kthehen në përdorim të qytetarëve.
“Ajo që duhet të bëhet është angazhimin institucioneve për tu kujdesur për pronën publike e cila është e degraduar. Hapi i parë që duhet të bëjnë komunat është të ndajnë lokacionet për mbeturinat inerte. Disa komuna kanë filluar ta bëjnë këtë pas 15 shtatorit”.
“Edukimi është një nga fushat që duhet të përmirësohet, kemi kërkuar që edukimi mjedisor të jetë më prezent në shkolla, kemi pak prezencë të këtij edukimi që është keq për Kosovën”.
Alpinistja dhe kampionia e Fushatës së Mjedisit, Arineta Mula, tha se qytetarëve u nevojitet zhvillimi i kulturës dhe ngritja e vetëdijesimit.
“Kultura e njerëzve qe janë ardhur nga bota dhe duke i pa mbeturinat në malet e Kosovës, me kanë lënë te kuptoj dhe kam filluar të mbledh mbeturina, çka nuk e kam bërë më herët. Ne çdo ditë po mbledhim mbeturina në Gërmi dhe është parë rezultati për 10 ditë”.
“Na duhet një vazhdimësi, sa duhet vetëm një projekt për të mbledhur mbeturina. Avantazhin e krejt botës e kemi se jemi shtet i vogël”.
Ndërsa Edita Pozhegu nga “Open Data Kosovo”, tha se së bashku me “Let’s Do It Kosovo” kanë krijuar aplikacionin telefonik “Trego Gjelbër” përmes së cilit qytetarët mund të raportojnë se ku i hasin mbeturinat ilegale nëpër komunat e tyre, raporton EO.
“Një nga problemet kryesore që kemi hasur ka qenë keqmenaxhimi i mbeturinave. Kjo na ka shtyrë për të krijuar një platformë ku në një hartë paraqiten mbeturina jo legale në vend”.
Sipas Pozhegut, komunat të cilat kanë raportuar më së shumti për mbeturinat ilegale janë Peja dhe Gjakova.
Bashkimi Evropian investon në projekte për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Kjo fushatë menaxhohet nga Qendra për Informim dhe Kulturë e BE-së.