Sigurimet Shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale dhe shtim të numrit të grave nëpër institucione, ishin disa nga kërkesat që u adresuan në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, u tha se aktualisht ekziston numër shumë i vogël i grave që punojnë nëpër institucione. Për këtë u paralajmërua edhe vizitë.
Kryetarja e Komisionit, Duda Balje tha se aktualisht numër i vogël i grave që kanë pozita vendimmarrëse nëpër institucione.
“Me numra ka qenë mirë, po pozita që kanë brenda ministrisë, shumë pak femra asnjë nuk ka pas ndonjë pozitë më serioze, kemi plan me bë vizita në teren”, tha ajo.
Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, adresoi disa çështje që gratë kanë nevojë më shumë, duke përmendur Ligjin për Sigurime Shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale dhe afati për të mbijetuarit e dhunës të mos paracaktohet.
“Mendojmë se afati për të mbijetuarit e dhunës të mos paracaktohet, kjo praktikë është ende në teren, të mbijetuarit të marrin afatin, t’u jepet mundësia kur ata ta marrin vendimin brenda për brenda familjes. Ligji për siguri shëndetësore viktimat e dhunës seksuale kanë qenë pjesë përfshirëse dhe të liruar nga pagesa, është menduar për viktima të dhunës që janë të varfër. Shpresojmë se me ligjin aktual të lirohen nga tatimet dhe të merren në konsideratë”, tha Rushiti.
“Ne kemi biseduar edhe me Ministrinë e Jashtme me pas kartelë që përmes saj me pas qasje në të drejtat që ua garanton ligji. Në kuadër të memories kolektive, po punojmë me i adresu kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Çështjet shëndetësore janë për t’u adresuar. Kërkojmë që numri i prokurorëve me u rrit që me u trajtu rastet”, shtoi ajo.
Për këtë temë, Balje kërkoi më shumë sqarime.
“Kur ka afatizime të caktuara varësisht nga rrethanat politike sido qe të jetë me kriju mundësi mos me e përcaktu afatin kohor. Afati duhet me qenë i palimituar”, ia ktheu Rushiti.
Nënkolonelja në Policinë e Kosovës, Zylfije Dema, tha se brenda këtij institucioni kanë edhe shoqatën e grave me mbi 1 mijë anëtarë.
“Ne si polici nuk kemi sigurime shëndetësore, kemi mungesë të pensioneve, kemi avancim në polici në të gjitha departamentin sa i përket pjesëmarrjes se grave, pra në të gjitha strukturat. Kemi edhe shoqatën e grave brenda Policisë. 1 mijë anëtarë na përkrah Policia, Shoqata Amerikane”, tha Dema, teksa shtoi se ka shtim të numrit të grave që raportojnë dhunën në familje.
Adelina Berisha, nga Shoqata e Grave të Kosovës, kërkoi më shumë të drejta për gratë.
“Vazhdojmë me pas gra qe nuk kanë qasje në treg të punës, jemi të shqetësuar për faktin se është larguar ligji për legjislacionin e punës. Te Komisioni tek deputetë me e ngreh si çështje që gratë punojnë pa kontratë pune. Kemi një numër të madh të grave që punojnë në baza ditore, interesat e tyre nuk janë të përfaqësuara askund”, tha Berisha.
E njëjta, kërkoi edhe votimin e Kodit Civil.
“Kodi Civil të mos mbetet i pa votuar, ky kod ka kapituj të rëndësishëm aty janë të drejtat tona, jo vetëm te martesa, ky kod duhet sa më shpejt të kalojë dhe të votohet”, tha Berisha.
Deputetja Balje, bëri replikë duke thënë se tashmë nuk është më prioritet Kodi Civil.
“Asnjë nga ne nuk është kundër Kodit Civil, jemi në pritje, pajtohem se është më i rëndësishëm dhe duhet me kalu, kemi zgjidhje edhe për këtë por nuk është më prioritet”.