Organizata “Let’s do it”, ka kërkuar që të zbatohet Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore.
Kjo organizatë thotë se që nga viti 2018 Policia e Kosovës nuk e ka shpërndarë asnjë gjobë për ndotësit e mjedisit sipas udhëzimit në fjalë, përkundër se është autoritet zbatues.
Postimi i plotë:
Në kuadër të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, nr 06/2018, autoritete kompetente për zbatimin e këtij udhëzimi janë:
1. Inspektorati për mbrojtjen e mjedisit i Ministrisë së Mjedisit;
2. Zyrtarët e autorizuar në kuadër të Policisë së Kosovës;
3. Inspektorati komunal i mjedisit dhe
4. Zyrtarë të tjerë të autorizuar.
Nga viti 2018 kur Udhëzimi ka kaluar në plotësim-ndryshim, Policia e Kosovës nuk e ka shpërndarë asnjë gjobë për ndotësit e mjedisit sipas udhëzimit në fjalë, përkundër se është autoritet zbatues.
Policia as nuk është pajisur me tiketën për gjobat e cila si shembull është e bashkëngjitur më poshtë.
Let’s Do It kërkon që Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore të zbatohet nga të gjitha organet kompetente dhe shkelësit e saj të gjobiten.
Let’s Do It gjatë kësaj jave do të bëjë edhe raportimin për numrin e gjobave të shqiptuara nga inspektorët mjedisor nga Ministria e Mjedisit si dhe inspektorët komunal.