Grupi i Grave Deputete ka organizuar tryezën me temën “Institucionet dhe mekanizmat ekzistues në përgjigje të dhunës në familje”, raporton Ekonomia Online.
Zv.ministri i Drejtësisë dhe njëherësh Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, Naim Qela, ka thënë se tashmë janë të gatshëm të ndërmarrin masa konkrete sa i përket çështjes së strehimoreve.
“Jemi dëshmitarë dhe nuk mund ta mohojmë se dhuna në familje është dukuri e rëndë që shoqëria jonë ballafaqohet. Në 10 vitet e fundit kemi 38 gra që kanë humbur jetën nga dhuna në familje. Kam gjet mbështetje të fuqishme tek Grupi Grave Deputete”, tha ai.
Qela tha se ka paraparë disa ndryshime dhe plotësime në ligjet aktuale derisa ka bërë thirrje që të plotësohet Ligji për Financimin e Pushtetit Lokal.
“Bëjë thirrje dhe apel që të shtyhet më tej puna në ndryshimi- plotësimin e Ligjit për Financimin e Pushtetit Lokal. Aty janë paraparë grantet specifike për çështje sociale. Kjo i jep mundësi komunave të planifikojnë grante për mbështetje të viktimave. Zgjidhja tjetër është propozuar që thirrja për grante publike të jetë në afat më të gjatë në 3 vite, e jo një siç është. E treta ka qenë që në mungesë të dy të parave të mos ketë shkëputje për strehimoret”, ka thënë Qela.
“…Unë kam paraparë në planin e punës ndryshimin e disa ligjeve. Një nga këto është Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje sepse ndryshimet që kanë ardhë kohëve të fundit sidomos të Kodit Penal dhe përcaktimit të dhunës si vepër e veçantë penale na bën të marrim hapa në ndryshim të ligjit. Është edhe Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Gjatë 2018-tës nuk kemi pasë asnjë viktimë që është kompensuar nga ky ligj”, tha Qela.
Përfaqësuesi nga MPMS-ja, njëherësh u.d udhëheqës i departamentit të politikave sociale dhe familjare, Mentor Morina, tha se do të punohet për shërbimet sociale.
“Është mundësi e mirë që edhe gjatë këtij viti të harmonizojmë legjislacionin e ligjeve të ndryshme përfshirë mbrojtjen nga dhuna në familje. Këtë vit do punojnë më ligjin e skemave sociale. Do t’i japim qasje më strukturore. Gjatë vitit të kaluar është bë punë jashtëzakonisht e mirë dhe do ta kemi grantin specifik për shërbime sociale. Për 2019-të si MPMS kërkesat tona kanë qenë qe të rriten fondet në procesin e planifikimit për mbështetjen e strehimoreve në shumë prej 800 mijë euro për komplet sektorin qeveritar të licencuar. Ne kemi nisë një fazë të licencimit të OJQ-ve”, tha Morina.
Nazife Jonuzaj, Koordinatore Nacionale për Strehimore, ka kërkuar që viktimat e dhunës në familje të jenë kategori e veçantë derisa ka shprehur shqetësimin për vonesë në avokimin e mjeteve të ndara nga buxheti.
“Jemi në muajin e dytë, nuk kemi mjete për ato gra që referohen prej institucioneve për strehim. Ne e kemi paraqitë atë shumë brenda një viti dhe tash nuk po ka. Ne ende sot po presim përgjigje prej juve se kur fillon ky 60 mijë eurosh të avokohet. Problemi më i madh është se viktimat nuk janë të ndara në kategori të veçanta. Nëse viktimat e dhunës në familje nuk do të trajtohen si kategori e veçantë nuk do të mund të kemi sukses”, tha ajo, raporton EO.
Sakibe Doli, Drejtoreshë e Strehimores “Gjakova”, tha se nuk po gjejnë përkrahje njëjtë sikur që gratë kur janë në pushtet.
“Komuna sa herë bën ndërrimin e qeverive shkon me simpati apo me vullnet. Nëse është femër është ndryshe. Për këtë arsye ne bëjmë thirrje që të votojnë gra sepse vetëm gratë po ua dinë”, u shpreh ajo.
Deputetët u pajtuan që MPMS-ja asnjëherë përveç tash nuk ka pasur një koordinator që ka bërë punë konkrete për viktimat e dhunës në familje.
Ato propozuan që të monitorojnë më tej punën e kësaj ministrie dhe të strehimoreve.