Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u kërkua që të rritet numri i vëzhguesve në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se për certifikimin e rezultateve po punohet me tri ndërrime.
“Qendrën për Numërimin e Rezultateve është e hapur nga 14 shkurti dhe do të jetë deri më certifikimin e rezultateve po punohet në tri ndërrime. Arritjet e para të materialit të ndjeshëm kanë ardhur më 15 shkurt. Nga procesi i pranimit jo të gjitha materialet kanë mundur të procesohen si të rregullta si mospërputhja e materialeve të karantinës. 4 fletëvotime të karantinës kanë shkuar dhe s’kanë mundur të procesohen si të rregullta”, tha ai.
“Po bëhet e skanimi i rezultateve që po procesohet në web faqen e KQZ-së vazhdimisht”, tha tutje ai.
Ahmetaj ka propozuar katër rekomandime për miratim nga KQZ-ja.
“Tri rekomandime janë për materialin nga karantina dhe tjetra është për rritjen e numrit të vëzhguesve në QNR për shkak se ka shumë aktivitete njëkohësisht”, tha ai.
“Rekomandimi i parë është që zarfet që nuk kanë nënshkrim të refuzohen”, tha tutje ai.
Përfaqësuesi i VV-së, Alim Rama, ka thënë që rekomandimet duhet të vijnë më herët që të ketë kohë për shqyrtim të tyre.
“Po vërej trend të ngadalshëm të procedimit të dhënave. Sot procesi s’ka filluar në orën 8 por 9:30″, tha ai.
“Kemi pasur fletëvotime pa zarfe andaj janë anuluar”, u përgjigj Ahmetaj.
Anëtari tjetër i VV-së, Sami Kurteshi tha se për shkak të gabimeve të ekipeve mobile në terren dikujt i është mohuar e drejta për të votuar.
Përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti ka thënë se ka qenë një proces zgjedhor prej më të mirëve në Kosovë.
“Problemet që po përmend Kurteshi janë minore krahasuar me proceset tjera paraprake. Pajtohem që edhe rekomandimet duhet të na vijnë më herët për shqyrtim. Do të ishte mirë që procesi të përshpejtohet edhe pse është në trend të mirë”, tha Hamiti.