Në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare “Auditimi i sigurisë rrugore dhe zvogëlimi i aksidenteve në trafik”, i organizuar nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara “Tempulli”, Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS”, u tha se të gjithë akterëve në vend duhet të sensibilizohen që të parandalohen aksidentet, raporton Ekonomia Online.
Muhamed Krasniqi, Drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, tha se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.
“Siguria në rrugë nuk është thjeshtë dy fjalë, nuk është një slogan i thatë, por është vetë jeta jonë, jeta e secilit pjesëmarrës në trafik, janë faktorët të cilët sjellin deri tek aksidentet, janë shoferet janë automjetet, janë rrugët por edhe janë faktorët tjerë kontribuues të cilët shkaktojnë aksidentet”, tha Krasniqi.
Ndërkaq zëvendës ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se do të bëhet inspektimi i kontrolleve teknike të automjeteve dhe do të përkujdesen për sinjalizim të mëtejmë të rrugëve.
“Nga kjo javë do të bëhet inspektimi i të gjitha kontrolleve teknike sepse realisht faktorët të cilët po i sjellin këto aksidente, kemi marr si kontroll teknike e automjeteve, automjetet e vjetruara të cilat qarkullojnë në rrugët e Republikës së Kosovës. Hap tjetër i cili do të merret është edhe sinjalizimi i rrugëve në Kosovë sepse nuk e kemi një sinjalizim të mjaftueshëm në rrugët tona, edhe pse standardi i rrugëve tona është realisht në rritje, duke u nisur nga fakti se për 17 vite është investuar jashtëzakonisht shumë. Mirëpo faktor tjetër që po ndikon në aksidentet me fatalitet është edhe shpejtësia e madhe”, tha ai.
Ai tha se institucionet duhet të kenë më shumë përkushtim lidhur me sigurinë në rrugë, raporton EO.
“Institucioneve tona na duhet një punë e madhe një përkushtim i madh në mënyrë që ta zvogëlojmë numrin e aksidenteve me fatalitet. Është shqetësuese një vend me 2 milion banorë t’i kem 130 aksidente me fatalitet për 1 vit”, tha ai.
Fehmi Hysenaj, shef i kabinetit të Ministrisë së Arsimit, tha se do të bëjnë korrikula të veçanta për profesione që lidhen më këtë fushë.
“Institucionet e Kosovës përkatësisht Ministria Arsimit zotohet që do të ketë bashkëpunim me gjithë këta faktorë, në mënyrë që në të gjitha nivelet të jep kontributin e vet, sidomos në çështjen e arsimit në përpilimin e korikulave në profesione të veçanta që lidhen me këtë fushë”, tha Hysenaj.
Shehremet Ahmeti, kolonel në Policin e Kosovës, tha se gjatë gjithë kohës ofrojnë siguri për qytetarët.
“Mbi 1 milion e 200 mijë humbin jetën pa asnjë konflikt në botë apo luftë të përmasave të mëdha nuk tërheq më shumë të vdekur se sa në rrugët e botës por edhe në Kosovë. Policia e Kosovës ka barrën e rëndë në sigurinë e qytetarëve të vendit, ne bëjmë çdo gjë që është e mundshme që të ju ofrojmë siguri. Dikush mendon që ne kemi dëshirë t’i dënojmë qytetarët por kjo nuk është e vërtetë sepse ne po mundohemi t’i mbrojmë”, tha ai.