Kërkohet shkarkimi i Bordit të Këshillit për Trashëgimi Kulturore

Prishtinë | 21 Nën 2017 | 13:17 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesit e Këshillit për Trashëgimi Kulturore në Kosovë, gjatë raportimit në komisionin parlamentar, e pranuan se gjendja e trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk është e mirë.

Por, nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion e Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu, kërkoi shkarkimin e Bordit të këtij këshilli. Haxhiu tha se përkundër buxhetit prej 2 milionë euro, këshilli nuk ka bërë ndonjë gjë, veçse është marrë me problemet e brendshme.

Fillimisht, kryetari i Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Shafi Gashi, prezantoi shqetësimet për institucionin që drejton para komisionit, raporton Ekonomia Online.

“Gjendja e trashëgimisë kulturore nuk është e mirë edhe për faktin që ka një ndarje të veçantë mbi 2 milionë euro. Trashëgimia kulturore ka pësuar gjatë luftës shumë. Kemi një gjendje jo të mirë edhe në fushën e mosrespektimit të legjislacionit jo vetëm nga persona, por edhe institucioneve. Rasti i fundit është në ndërtimin e autostradave. Asnjë nga institucionet nuk kanë pyetur nëse këto autostrada dëmtojnë objekte të trashëgimisë kulturore”, tha Gashi.

“Jemi munduar të marrim për bazë rekomandimet e auditorit pasi ai ka gjetur një varg shkeljesh. Për të trajtuar gjithë atë materie ne kemi nevojë për staf më të madh pasi me atë staf të vogël që kemi nuk mundemi të trajtojmë të gjitha çështjet e Këshillit. Ne nuk kemi ndonjë dinamikë me të cilën mund të krenohemi, duhet gjithsesi të kemi një përkrahje që të kemi një trend të madh dinamik për të trajtuar të gjitha dosjet e trashëgimisë kulturore”, shtoi Gashi.

Mirëpo, këto probleme nuk janë kryesoret për anëtarët e tjerë të Këshillit. Doruntinë Matoshi, komisionit paraprakisht i ka dorëzuar një shkresë në të cilën ka renditur parregullsitë, problemet e brendshme, shkeljet që janë bërë në këshillin për trashëgimi kulturore.

Edhe pse e quajtën shqetësuese shkresën nga Matoshi, anëtarët e komisionit thanë se nuk është vendi i duhur për t’i adresuar problemet e brendshme të Këshillit.

“Ju nuk jeni komplet, ne komplet ju kemi emëruar. Shkresat që ju kanë ardhur janë shqetësim. Problemet ma të mëdha po dalin që ju gjatë gjithë mandatit jeni marrë me probleme të brendshme. Përkundër buxhetit që nuk e konsideroj të vogël ju keni ngec. Unë personalisht kisha kërkuar shkarkim të këshillit komplet”, tha Teuta Haxhiu.

Por, Gashi pohon se ka zhbllokim të gjendjes. “Çdo veprim që kam marr kam kërkuar nga institucioni që të na ndihmojë. Mund të kem bërë një tejkalim të procedurave, por ne nuk kemi njerëz të tjerë. Zgjedhja e udhëheqësit të detyrës është bërë në prani të katër anëtarëve të Këshillit dhe në momentin që ka kuorum, vota e kryetarit është dominante. Unë e kam nënshkruar vendimin për udhëheqësit e detyrës dhe ne kemi zhbllokim të gjendjes”, tha Gashi.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërrmarrësi, Ismajl Kurteshi, kishte disa pyetje lidhur me gjendjen e trashëgimisë kulturore ai dhe për komunikimin që kanë me ministrinë. Ai kërkoi përgjigje për një raport që anëtarja e këtij këshilli, Doruntinë Matoshi, ka dërguar në adresë të komisionit e që ka të bëj me shkeljet e bëra në këtë këshill.

“Në gjashtë muajt e fundit, Bordi nuk ka bërë asnjë punë. Ne si komision do t’i shqyrtojmë këto informata. Pasi përmes këtij komisioni kuvendi ka obligim të mbikëqyrë dhe të kërkojë përgjegjësi nga ju”, tha Kurteshi.

Të ngjashme