Kërkoi 10 mijë euro për mospublikimin e një videoje, arrestohet një person në Skënderaj

Prishtinë | 01 Shk 2024 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Hetimi me masa të fshehta që ka nisur rreth një muaj më parë lidhur me një rast të shantazhit që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj ka rezultuar me sigurimin e provave për përfshirjen e një 34-vjeçari në këtë rast.

Ai u arrestua nga policia rreth një muaj pasi u denoncua nën dyshimet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kushtëzuar viktimën duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një materiali që ka poseduar.

Sipas të dhënave,bëhet fjalë për një video, që prish imazhin dhe integritetin e viktimës, për të cilën ai dyshohet se kishte kërkuar hiç më pak se 10 mijë euro që mos ta publikojë në faqet e tij.

Pas raportimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku ndër të tjera janë aplikuar edhe masat e fshehta, që çuan në arrestimin e të dyshuarit.

I njëjti është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, sipas sinjalit është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Të ngjashme