Kërkojnë dënim më të rëndë për vrasësin e Zejnepe Berishës

Prishtinë | 14 Pri 2017 | 12:34 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren për dhënien prej 12 vjetësh burg për vrasësin e Zejnepe Berishës.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave tha se kërkojnë nga Prokuroria e Shtetit që ta bëjë ankimimin e këtij vendimi dhe të kërkoj që të rritet dënimi ndaj bashkëshortit të Zejnepes, Nebih Berisha, raporton Ekonomia Online.

“Ne sot kemi dalë me një kërkesë që Prokuroria e Shtetit ta bëjë ankimimin e këtij vendimi dhe të kërkoj që ky dënim të ngritet”, tha Berisha.

Edhe motra e të ndjerës Zejnepe Berisha, Hajrije Thaçi tha se vrasësi është dënuar me pak vjet dhe se sipas saj ai ka merituar 20 e më shumë vjet burg.

Sipas saj, ndonëse ka marrë pjesë në seancat gjyqësore ndaj Nebih Berishës, asnjëherë ajo dhe bashkëshorti i saj nuk janë marrë në pyetje.

“Më kanë thirrë në seancë, asnjëherë mua s’më kanë pyetur, as burrin e as mua. Nuk e pranojmë me kaq. Kemi pritur që do t’ia japin 20 vite e më shumë. Kjo është sikur të kishte ndodhur një ndeshje në rrugë dhe të kalonte ashtu. Ka bërë krim që askush në Kosovë se ka bërë. 16 vjet ka jetuar me të, 16 ditë të mira nuk i ka pasur me të”, ka folur plot mllef motra e të ndjerës Zejnepe Berisha.

Ndërsa nëna e të ndjerës  Sadije Bytyqi, ka treguar për dhunën që është shkaktuar ndaj të ndjerës madje edhe në prezencën e saj duke ia kërcënuar edhe familjen.

“E rrahu edhe në prezencën time, ka ardhur në shtëpinë tonë na ka kërcënua edhe neve”, u shpreh ajo.

 

Të ngjashme