Liderët e Bashkimit Evropian (BE) në samitin që do të mbahet këtë javë do të diskutojnë lidhur me heqjen e përmbajtjeve terroriste nga interneti në kuadër të politikave të sigurisë.
Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka dërguar letër ftese liderëve të shteteve të BE-së me rastin e samitit që do të mbahet më 22 dhe 23 qershor. Në letrën e tij, Tusk është shprehur se për shkak të dobësimit të forcave kundër BE-së ka ndryshuar mjedisi që ka mbizotëruar disa muaj më parë dhe se tani janë më optimistë.
“Megjithatë, BE-ja mund të ndihmojë të fitohet kjo luftë. Deri më tani është shënuar përparim lidhur me luftëtarët e huaj dhe të kthyerit (nga zonat e luftës). Tani ka ardhur koha ta rrisim bashkëpunimin me industrinë e internetit. Propaganda terroriste përbën efektin me të madh qysh në orët e para pas ngarkimit në internet. Për këtë arsye, ne duhet ta nxisim industrinë që të zhvillojë vegla të cilat automatikisht do të detektonin dhe largonin përmbajtjet me materiale terroriste dhe ato të dhunës”, ka theksuar Tusk.
Donald Tusk po ashtu ka theksuar nevojën që të shqyrtohet edhe çështja e migrimit dhe gjendja në rutën e Mesdheut Qendror, ndërsa ka përmendur edhe rëndësinë që të bashkëpunohet me Libinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithashtu, Tusk ka thënë se do t’i informojë liderët në samit lidhur me takimet e realizuara me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin amerikan Donald Trump.