Konsumimi i sa më shumë frutave është një mënyrë e mirë për të menduar për mirëqenien fizike dhe mendore. Ndaj dhe ne ju këshillojmë të konsumoni këta 20 fruta sepse vlerat e tyre janë të jashtëzakonshme
Në çfarëdolloj diete, një nutricionist i mirë do t’ju rekomandojë një gjë: konsumoni sa më shumë fruta dhe perime. Sidomos frutat janë thelbësorë: studime të shumta kanë zbuluar se konsumimi i të paktën 4-5 porcione frutash në ditë ndihmon në përmirësimin e humorit dhe ul rrezikun për sëmundje kardiake, obezitet dhe diabet të tipit 2. Duhet të dini se me konsumimin e frutave ne furnizojmë trupin tonë me vitamina dhe mineralet e domosdoshme sikurse janë kalciumi, kaliumi, magnezi si dhe shumë vitaminave të tjera të cilat gjenden me bollëk te këto produkte.
Mos harroni të konsumoni herë pas herë fruta, sepse vlerat ushqyese që marrim prej tyre janë të jashtëzakonshme. Mjafton t’ju themi se me konsumimin e bananes, kumbullave të thata dhe pjeprit furnizojmë trupin tonë me kalium, një mineral që ndihmon në mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut. Po kështu duhet të dini fibrat e pranishme tek frutat përmirësojnë tretjen si dhe ju ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të peshës, pasi disa prej tyre japin ndjesinë e ngopjes. Ndaj dhe këshilla e ripërsëritur është konsumimi i sa më shumë frutave; qoftë edhe që në mëngjes duke nisur ditën me konsumimin e një tasi me fruta pylli. Nëse nuk keni kohë të konsumoni mëngjes, atëherë merrni një banane dhe konsumojeni mes vakteve ose merrni avokado apo shegë dhe bëni një sallatë të shëndetshme.
Shalqiri
Shalqini është i përbërë nga 92% ujë, çka e bën një frutë të jashtëzakonshëm për hidratimin e trupit. Ushqimi siguron rreth 20% të konsumit të përditshëm të lëngjeve dhe një vakt të lehtë me ushqime të pasura me ujë siç është shalqiri mund t’ju ndihmojnë të shmangni dehidratimin. Për shkak se është gjithashtu i pasur me kalium dhe magnez, gjithashtu ndihmon në kompensimin e natriumit të tepërt në dietë.
Molla
Një mollë në ditë mban larg mjekun kardiolog. Studime të shumta kanë treguar se konsumimi i vazhdueshëm i një molle ul kolesterolin e përgjithshëm, si dhe mban larg sëmundjet kardiake. Kjo falë komponimeve fenolike – komponimeve antioksiduese (të pranishme në lëvozhgën e mollës) ndihmojnë në promovimin e funksionimit të shëndetshëm të qelizave dhe qarkullimin e gjakut. Kombinimi i vitaminës C, fibrave (rreth 5 gramë në çdo mollë) dhe substancave fitokomike e bën atë një element kryesor të një diete të shëndetshme.
Mango
Sidomos në verë, mango është frutë ideal për vaktin e ndërmjetëm, pasi është i pasur me vitaminë C, kalium dhe betakarroten. Ndaj dhe këshillohet që të konsumohet lehtësisht nga të gjithë.
Kivi
Përveçse ka vitaminë C, kalium dhe antioksidantë, prania e acidit folik, magnezit dhe vitaminave të grupit B, e bëjnë këtë frutë një miniere ari të vërtetë. Madje disa studime vlerësojnë se konsumimi i kivit para se të flini mund t’ju zërë gjumi më shpejt.
Qershi
Qershitë, ky frutë i vogël por me vlera të jashtëzakonshme konsiderohet edhe aleati kundër stresit dhe kjo falë pranisë së antioksidantëve, kuercentinës dhe bioflavanoideve që favorizojnë ndjesinë e qetësisë.
Banane
Bananet janë të pasura me fibra, madje janë ushqimi ideal për tu konsumuar mesvakteve. Për të mbrojtur më së miri zemrën, konsumimi i një bananeje në mëngjes ju “karikon” me energji, fibra, vitaminë B6, kalium, magnez si dhe vitaminë C.
Portokall
Që portokajt janë plot me vitaminë C, kjo gjë dihet tashmë; por duhet të dini se agrumet janë të pasura me veti anti-inflamatore, antioksidantë dhe antitumoralë, dhe kjo e vërtetuar nga studime të shumta.
Rrush
Rrushi përmban përbërës polifenolik me veti antioksiduese, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e dëmtimit qelizor. Me konsumimin e rrushit (një vesh në ditë) ndihmoni në mbrojtjen e indeve të trupit dhe zvogëlimin e shënuesve të inflamacionit në gjak.
Guava
Është një frutë ekzotik, mbase pak i njohur në vendin tonë, por në fakt këshillohet konsumimi i saj pasi mbron sistemin imunitar, është e pasur me vitaminë C, kalium dhe fibra.
Pjepër
Pjepri është i pasur me kalium, vitaminë C dhe acid folik. Flavonoidet të pranishme te pjepri kanë veti anti-inflamatore, stabilizojnë gliceminë, si dhe janë imunostimulantë. Përveç këtyre, pjepri është i pasur me ujë kështu që ju ndihmon edhe në hidratimin e përditshëm.
Luleshtrydhe
Luleshtrydhet janë burim i jashtëzakonshëm i antioksidantëve, në veçanti i vitaminës C. Një kuti me luleshtrydhe përmban deri në 150% të nevojave ditore të fibrave, duke marrë kështu vetëm 80 kalori.
Qitro
Sikurse agrumet e tjera edhe qitro përmban shumë vitaminë C. Madje studime të shumta kanë evidentuar se konsumimi i qitros përmirëson qarkullimin e gjakut si dhe ndihmon në reduktimin e kolesterolit.
Frutat e pyllit
Frutat e pyllit konsiderohen perfektë; pasi nuk janë shumë të ëmbël si dhe janë plotë me lëndë ushqyese. Një kuti me fruta pylli mund të furnizojnë trupin tuaj me gjysmën e nevojës ditore për vitaminë C. Studime të shumta kanë treguar se falë antioksidantëve të pranishëm tek frutat e pyllit reduktojnë rrezikun e zhvillimit të shumë sëmundjeve kronike falë aftësisë së tyre për të mbrojtur qelizat.
Avokado
Është një frut i jashtëzakonshëm në llojin e vet dhe me përmbajtje të ulët sheqeri. Me konsumimin e avokados furnizojmë trupin me magnez dhe acide yndyrore jo vetëm të shëndetshme për shëndetin e zemrës por edhe me vlera të çmuara për funksionimin neurologjik dhe muskular.
Kumbulla
Kumbulla ka treguar se ka përfitime anti-inflamatore që mund të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive njohëse. Janë shumë të mira edhe kumbullat e thata pasi përmbajnë akoma më shumë kalcium dhe magnez, të cilat vlerësohen shumë për rolin e tyre në reduktimin e rrezikut për osteoporozë.
Boronica
Falë përbërëse të shumtë polifenolike, konsumimi i sa më shumë boronicave mbron zemrën tuaj, duke mbrojtur edhe enët e gjakut nga dëmtime të mundshme. Fibra që përmbahet në to gjithashtu ngadalëson tretjen në traktin gastrointestinal, duke stabilizuar lëshimin e sheqerit në rrjedhën e gjakut dhe duke ofruar një nxitje të qëndrueshme të energjisë.
Limon
Limoni është i pasur me vitaminë C, acid folik, kalium dhe flavonoid. Flavonoidet lidhen me reduktimin e rrezikut për humbjen e aftësisë njohëse, duke përmirësuar kështu qarkullimin e gjakut dhe duke ndihmuar në mbrojtjen e qelizave të trurit nga përkeqësimi natyror.
Mjedra
Mjedrat klasifikohen si frutat më të pasura me fibra, një filxhan mjedra përmban rreth 8 gramë. Mjedrat furnizojnë trupin me antioksidantë dhe përfitime që stabilizojnë sheqerin në gjak, veçanërisht kur kombinohen me fruta të tjera. Konsumimi i tyre në mëngjes ju ndihmon në ruajtjen e energjive deri në drekë.
Dardha
Përveçse përmban vitaminë C dhe fibra (rreth 25% të nevojës ditore), konsumimi i qoftë edhe një dardhe ju mban të hidratuar.
Shegë
Vlerat ushqyese të shegëve janë të jashtëzakonshme. Me konsumimin e këtij fruti furnizojmë trupin tonë me fibra dhe kalium. Konsumimi i saj këshillohet edhe në sallatra apo në ëmbëlsira të ndryshme.