Këshilla si ta përballoni dimrin sa më lehtë

Prishtinë | 08 Dhj 2022 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Shpesh dimri na “burgos” të rrimë brenda mureve të shtëpisë, por duhet të dini se pikërisht kjo stinë është e duhura për t’iu përkushtuar aktivitetit fizik dhe çlodhjes dhe ka shumë gjëra për t’u bërë, të cilat vlerësohen më shumë në të ftohtë se sa në verë.

Si të gjitha stinët, edhe dimri ka bukurinë e vet, ditët me mjegull, dëbora në male i japin peizazhit dhe natyrës një pamje të veçantë për ata njerëz që dinë ta vlerësojnë në maksimum këtë magji. Pastaj, nëse e mendojmë më thellë, ka disa gjëra që është e mundur të bëhen dhe të admirohen vetëm në dimër. Mendoni që çokollatën e ngrohtë ta pini në temperaturat e larta të verës… nuk do t’ju japë të njëjtën shije si në dimër, ulur në lokalin tuaj të preferuar.

Gjëja thelbësore në dimër është të përballoni dimrin, të ftohtin dhe ngricat me humor të mirë, t’i jepni më shumë rëndësi aspekteve pozitive të jetës, sesa atyre negative!

Si ta përballoni sa më mirë stinën e dimrit? Lexoni këshillat tona!

Bëni aktivitet fizik

Ka disa aktivitete fizike që po t’i bëjmë në dimër dhurojnë rezultate të ndryshme: e dinit se dalja për vrap në të ftohtë, bën të mundur djegien e më shumë kalorive, pasi rritet metabolizmi? Gjëja më e mirë do të ishte të ushtroheshit në orët kur rrezet e diellit stimulojnë Vitaminën D, e cila është thelbësore për shëndetin e femrave.

Veç kësaj, ka sporte që mund të praktikohen vetëm në dimër, si patinazhi në akull apo skitë. Ndaj mos u dembelosni, dhe edhe pse mendoni se ndoshta nuk keni moshën për të mësuar, regjistroheni në një kurs patinazhi ose në fundjavë shkoni në mal për të bërë ski. Është një mënyrë e shkëlqyer për të vënë trupin në lëvizje, për të kaluar kohën në shoqëri të mirë e për të njohur njerëz të rinj.

Argëtohuni me aktivitetet sociale

Në momentin që në dimër temperaturat janë të ulëta dhe kaloni më shumë kohë të mbyllur, përse të mos përfitoni nga stina për të bërë ato aktivitete që janë tipike dimërore? Regjistrohuni në një kurs gjuhe, gatimi apo fotografie. Ju pëlqejnë filmat dhe muzika? Është edhe periudha ideale për të shkuar në kinema apo në një sallë koncertesh.

Ushqehuni me prodhimet e stinës

Edhe pse jetojmë në një kohë kur mund të konsumojmë luleshtrydhe në dhjetor dhe lakër në gusht, mjekët dhe nutricionistët këmbëngulin që duhet të ushqehemi vetëm me fruta dhe perime të stinës. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi prodhime të freskëta dhe që kanë cilësi ushqyese.

Dieta e dimrit parashikon konsumimin e brokolit, karçofit, mandarinave dhe të gjitha produkteve që na dhuron toka në dimër.

Veç kësaj, është stina e duhur për të konsumuar gatime tipike dimërore, të cilat në verë nuk kanë të njëjtën shije. Supat janë të mrekullueshme në këtë stinë, mishi i pjekur, fasulet e preferuara, gjella me spinaq, presh e lakër duhet të jenë në tryezat tona kur jashtë bën ftohtë.

Vishuni me ngjyra

Edhe pas këshillave të mësipërme nuk gjen asnjë kënaqësi për këtë stinë dhe shpesh ju kaplon stresi dimëror? Ndoshta tentativa e fundit që të vlerësoni anën pozitive është terapia e ngjyrave: mësoni të visheni duke shtuar detaje me ngjyrë. Nëse në fillim nuk ju pëlqen xhupi në ngjyrë të verdhë, të paktën vishni një kapuç të kuq apo portokalli, doreza me viza me ngjyra apo një pulovër të gjelbër. Edhe për ushqyerjen zgjidhni gjithmonë ushqime kundër trishtimit, të cilat ju ndihmojnë të shtoni nivelin e serotoninës e për rrjedhojë humorin e mirë.

Të ngjashme