Këshilli Gjyqësor shpenzoi 308 532 euro në Tiranë e Durrës

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 18:14 | Nga

Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) nuk i ka mjaftuar buxheti i paraparë prej 100 mijë euro për udhëtime jashtë vendit.

Sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ata kanë shpenzuar mbi 300 mijë euro, gjatë vitit 2016.

Nga këto mjete janë realizuar 91 udhëtime, ku shumica prej tyre janë bërë në Shqipëri. 38 në Tiranë dhe 20 në Durrës.

“Shuma e planifikuar/buxhetuar në vitin 2016 për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit ka qenë 157 000€, ndërsa KGJK ka shpenzuar rreth 308 532€. Nga këto mjete janë realizuar 91 udhëtime jashtë vendit. Shumica prej tyre në Shqipëri, 38 në Tiranë dhe 20 në Durrës”, thuhet në raportin e Auditimit.

Përveç tejkalimit të shpenzimit të buxhetit të paraparë për udhëtime jashtë vendit ishin realizuar edhe udhëtime pa agjenda.

Në bazë të pesë rasteve për udhëtime në vlerë prej 64 mijë eurove, auditori ka gjetur se përveç shpenzimeve të udhëtimit në vlerë prej 21 mijë eurove janë bërë edhe pa agjendë.

“Nga auditimi i pesë (5) mostrave për udhëtime në vlerë 64,177€ kemi vërejtur se përveç shpenzimeve të udhëtimit prej 21,630€ për të cilat ekzistonin agjendat e udhëtimeve, të tjerat ishin bërë pa agjenda si dhe mbyllja e avansit nuk është bërë brenda afatit të paraparë prej 15 ditësh siç parasheh neni 8 i udhëzimit administrativ 2004/7”, bëjnë të ditur të gjeturat e auditorit.

Po ashtu, “kërkesat për këto udhëtime zyrtare nuk janë të plotësuara sipas udhëzimit administrativ për udhëtimet zyrtare të nxjerrë nga KGJK-ja dhe nuk është plotësuar vendimi për lejimin e udhëtimeve siç kërkohet me Udhëzim Administrativ të KGJK-së”, thuhet në raport.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ky shpenzim i tejkaluar parasheh planifikim të dobët të aktiviteteve dhe shpenzimeve.

“Mbishpenzimi në përqindje të madhe e një nënkategorie të caktuar vë në pah planifikimin e dobët të aktiviteteve dhe shpenzimeve”, thuhet ndër tjerash në raportin e audtimit.

Auditori ka para parë se “kjo rritë rrezikun që aktivitete tjera të planifikuara të mos realizohen dhe si pasojë ndikon negativisht në realizimin e objektivave të përcaktuara. Mospërmbushja e kërkesave/prcedurave mund të ndikoj në menaxhim jo të mirë të buxhetit”.

Zyra Kombëtare e Auditimit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës i ka rekomanduar që mjetet e shpenzuara sipas planit dhe prioriteteve të shpenzohen me kujdes. (Insajderi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme