Këshilli i prindërve: Bashkëndjejmë hidhërimin e mësimdhënësve, por fëmijët nuk duhet të pësojnë

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar lidhur me grevën në arsim duke thënë se bashkëndjejnë hidhërimin e mësimdhënësve, por greva në arsim ku pësojnë nxënësit nuk mund të arsyetohet.

KPK thekson se duhet të pritet formimi i institucioneve të reja, të cilat me prioritet duhet të merren me këtë çështje dhe duhet të zotohen para mësimdhënësve dhe nëpunësve publik që ky ligj të hyjë në fuqi sa më parë dhe të ketë efekt retroaktiv.

“…Konsiderojmë se tani kur jemi pa institucione dhe kur ka vendos një organ si Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë justifikim greva në arsim sepse vetëm do ta dëmtoj interesin e nxënësve dhe të tërë procesit mësimor. Shtrohet pyetja kundër kujt do të mbahet kjo grevë… Kundër Gjykatës Kushtetuese e cila është autoritet i pavarur që nuk i nënshtrohet as ekzekutivit as legjislativit?! Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë miratuar Ligjin për paga dhe kane përfunduar punën e tyre”, thuhet në reagim.

Këshilli i prindërve kërkoi mirëkuptim nga mësimdhënësit pasi sipas tyre nuk arrihet asnjë zgjidhje, përveç që dëmtohen nxënësit.

“Mund të organizohet protestë para Gjykatës Kushtetuese për të shprehur pakënaqësitë dhe mendojmë se edhe kjo është formë e reagimit sindikal për të shprehur pakënaqësitë”, thuhet në reagim.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme