Këshilli i Prindërve vazhdon ta sulmojë vetëm SBAShK-un: Pyeteni veten se a ndjeheni krenarë me grevën

Prishtinë | 01 Tet 2022 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Prindërve të Kosovës është deklaruar pas vendimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që greva në arsim të pezullohet deri në janar të vitit 2023.

Në reagimin e këtij Këshilli, i cili vqzhdikisht ka treguar njëanshmëri duke bërë fajtor për grevën vetëm SBASHK-un, thuhet se pas pesë javësh greve, drejtuesit dhe anëtarët e sindikatës duhet ta pyesin veten dhe njëri-tjetrin se a mund të ndjehen krenarë.

“E sot, pas pesë javësh greve, drejtuesit e SBASHK-ut, por edhe anëtarët e sindikatës, e kanë për përgjegjësi, së paku njerëzore, ta pyesin vetën e njëri-tjetrin: a ia ka vlejtur dhe a mund të ndjehen krenarë me grevën?”, thuhet në një reagim të postuar në faqen e Këshillit në Facebook.

Tutje, thuhet se më 31 gusht kur kanë zhvilluar takim me drejtuesit e SBASHK-ut, kishin dy kërkesa të cilat ishin refuzuar.

“Dy kërkesa i kishim: 1) Festa e 1 Shtatorit mos t’iu prishet nxënësve sepse për klasën e parë (sidomos) është kujtim jetësor e domethënës për gjithë vitin shkollor, dhe 2) Që SBASHK-u mos të hyjë në grevë të plotë e të paafat, se kjo masë është shumë ekstreme dhe e padrejtë ndaj fëmijëve por e dëmshme edhe për vetë SBASHK-un”.

“Kërkesën e parë na e patën refuzuar pa iu dridhur qerpiku. Për të dytën na thanë ‘nuk kemi nevojë për këshilla se si bëhet veprimi sindikal – e dimë fort mirë këtë’”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) njoftoi sot se ka vendosur që të pezullojë grevën pas pesë javësh, pasi ka marrë mendimin e anëtarësisë.

Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, tha se pezullimi i grevës po bëhet për hirë të fëmijëve dhe e porositi Qeverinë Kurti që të mos ndihet si triumfaliste, por të marrë mësim.

Pezullimi do të vlejë deri në janar të vitit të ardhshëm dhe se kërkesat mbeten të njëjta.

Ai ka bërë thirrje që Qeveria t’i realizojë kërkesat e tyre, duke shtuar se ata s’janë gjunjëzuar por vetëm kanë respektuar vendimin e anëtarësisë.

Të ngjashme