Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e jashtëzakonshëm të mërkurën, mori vendim për transmetimin e intervistave të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Pas zhvillimit të procesit të intervistimit të mërkurën, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet, sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.5 pikë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Me qëllim që procesi të jetë sa më transparent, propozoj publikimin e video/audio-intervistave në platformat e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha kryesuesi Arian Gashi.
Kurse, anëtari Milot Krasniqi tha se kanë ndërtuar standard nga procesi i kaluar, që intervistat të publikohen në kohë reale dhe se ai standard është dashur të ndiqet.
Ndërkaq, kryesuesi Gashi tha se nga procesi i kaluar, nuk janë transmetuar menjëherë intervistat.
“Për informacionin tuaj, nuk janë transmetuar menjëherë por pas disa ditëve nga procesi i kaluar”, tha Gashi.
Më pas, me gjashtë vota për dhe një kundër, u miratua propozimi për publikimin e video-intervistave sot.