Rektorët e universiteteve publike e kanë quajtur të jashtëligjshëm dhe politik vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 42 programeve në këto universitete, raporton Ekonomia Online.
Në komisionin për Arsim, rektorët e këtyre universiteteve kanë paraqitur ankesat e tyre lidhur me mosakreditimin e programeve, e që sipas tyre, një vendim i tillë është arbitrar, si dhe politikë e Ministrisë së Arsimit.
Sipas tyre, ata kishin deklaruar në fillim që duhet të mbyllen universitetet e reja.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, tha se nga Këshillit Shtetëror të Cilësisë i janë refuzuar 24 programe Universitetit të Prishtinës. Sipas tij ky këshill ka vendosur në mënyrë selektive.
“Me datë 18.1.2019 ka pranuar përmes emalit një njoftim nga zyra kombëtare e akreditimit. Në njoftimin e dërguar nga AKA thuhet se këshilli shtetëror i cilësisë ka marr vendim që të aprovoj apo refuzoj akreditimin për programet e studimit. UP sipas emailit janë refuzuar 24 programe të studimit, janë tërhequr 13 programe të akredituara, janë programe shumë substanciale. Në këtë takim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk është bërë hala. Për disa programe të refuzuara është dhënë arsyetimi që nuk ka pasur dokumentacione të plotësuara, mirëpo sipas nesh ato programe i kan dokumentet dhe ne i posedojmë. KShC- ka heq nga akreditimi programe pa pas raport të rekomandimit nga ekspert të jashtëm. Nuk ka pasur ndonjë komision, nuk ka pas ndonjë paralajmërim. refuzimi i aplikacioneve për akreditim”, tha ai.
Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku ka thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është i politizuar dhe shkon sipas politikave të MAShT-it i cili sipas tij ka qenë nga fillimi për mbylljen e universiteteve të reja.
“Dokumenti nga AKA ka qenë dokument i pa bazë, që i dëmton universitetet e reja. Ne kemi konstatuar që Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka treguar papërgjegjësi profesionale. Programet qe janë mbyll kanë qenë të pa vërteta dhe nuk ka ditur të bëjnë verifikimin e profesioneve. KSHC është i politizuar dhe këto vendime kanë shkuar konform qëndrimeve të Ministrisë së Arsimit e cila ka qenë për mbylljen e universiteteve të reja. KSHC ka prek më së shumti në programet qe numërojnë më shumë student. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Është e papranueshme që 42 programe në universitete publike”, tha ai.
Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se programet e mbyllura në këtë universitet kanë qenë të akredituara.
“Programet që janë mbyll janë programe të akredituara, programet e UKZ që janë mbyllu janë të akredituara. Me u akredituar një program zgjat 7-8 muaj. Gjatë vitit 2018 MAShT-i dhe KShC kanë qit një kusht qe në vend të tre profesorëve të vijnë 4. Profesori në universitet nuk është me pi kafe. Kërkesa e KShC me rrit numrin e profesorëve për një program është e jashtëligjshme”, tha Kosumi, raporton EO.
Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Ferizajt, ka thënë se mbyllja e programeve është bërë në mënyrë arbitrar.
“Forma e akreditimit të një programi dhe forma e terheqjes së akreditimit është e njëjtë. KShC ka marr vendim arbitrar kundër ligjit. Mbyllja e programeve ka qenë synim i ministrit”, tha ai.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Shaban Buza, e ka quajtur goditje të papritur vendimin e KShC-së.
“Universitetit të Gjakovës i ngel vetëm programi gjuhes dhe letersisë shqipe”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ismet Temaj, ka ndarë shqetësimin e njëjtë.
“Gjuhës gjermane dhe shkencat kompjuterike, janë dy programet që nuk ju është dhënë drita e gjelber”, tha ai.
Deputetet kanë kërkuar nga rektorët të ndjekin rrugët ligjore për rikthimin e programeve që u është hequr akreditimi dhe të mos hynë në grevë.
Deputetja, Albulena Balaj, ka kundërshtuar duke i quajtur të pavërteta deklaratat e rektorëve që ministri të ketë thënë se duhet të mbyllen universitetet e reja
“Unë asnjëherë nuk e kam dëgju ministrin që ka thënë se duam ti mbyllim universitetet. Për ta mbyll një universitet duhet një gjithpërfshirje. Ajo çka ka thënë ministri është që universitetet të shndërrohen në kampuse për shkak që kanë menduar që mund të zhvillohet më mirë arsimi në Kosovë. Unë ju ftoj të ndjekeni rrugët ligjore dhe atë të ankesës”, tha ajo.
Deputetja, Teuta Haxhiu, ka porositur rektorët qe të marrin rrugën e ankesës.
“Në Republikën e Kosovës nuk ka universiteti private, aty është biznesi. Ajo që më shqetësoi është se programet e akredituara u është hequr akreditimi”; tha ajo.
Përndryshe, në konferencën e rektorëve të mbajtur para disa ditëve është thënë se nëse deri me datë 28 janar nuk e shkarkojnë Këshillin Shtetërorë të Cilësisë, atëherë me datë 29 do të hynë në grevë dhe do të organizojnë protestë.