E plotësuar:
Pas më shumë se 40 minuta pritjesh, me protestuesit është takuar këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka.
Ai tha se kërkesën e protestuesve për t’u takuar me kryeministrin do ta realizojnë sa më shpejt që është e mundur.
Ndonëse nuk arriti të japë një datë të saktë kur kryeministri mund të takohet me banorët e Hades, Lluka tha se kjo çështje do të merret parasysh nga institucionet.
Banorët e Hades protestojnë para Qeverisë, kërkojnë zhvendosje të menjëhershme
Me parullat “Mos ma rreziko shëndetin”, “Kërkojmë dislokim të menjëhershëm”, “Nuk ka jetë në fshatin Hade”, kanë protestuar banorët e këtij fshati.
Ata kanë shprehur pakënaqësitë lidhur me vonesat e zhvendosjes së banorëve të kësaj zone, raporton Ekonomia Online.
Ragip Grajqevci, përfaqësues i banorëve të Hades, kërkoi nga kryeministri që t’i pret në takim në mënyrë që t’i shprehin problemet me të cilat përballen.
“Kërkojmë nga kryeministri që të na japë një vendim që fshati ynë të përfshihet në këtë proces. Edhe ne jemi pjesë e procesit të zhvillimit ekonomik të energjisë. Të gjitha pronat tona i kanë zhvillu. Kërkojmë nga Ramushi të shkojmë t’i tregojmë hallet tona, në të kundërt protestat do të vazhdojnë, por jo në mënyrë paqësore”.
Ndërsa një banor tjetër i Hades , Besnik Grajqevci, tha se vonesat në shpronësim po ua shkelin të drejtat për jetë, raporton EO.
“Është bërë kohë e gjatë që banorët e Hades janë privu nga e drejta e jetës të garantuar me ligj. Fshatarët tanë janë me të vërtetë në gjendje kaotike. Në shtëpitë tona nuk mundemi të zhvillohemi të jetojmë. Bëjmë thirrje organeve kompetente që vendimet që janë sjellë të zbatohen… kërkojnë të kemi tokat tona të jetojmë në shoqëri normale”.